BRUKSEL

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë kërkuar kohë për të reflektuar, pas refuzimit të Kushtetutës së bllokut nga ana e francezëve, në referendumin e djeshëm. Rreth 55 përqind e votuesve në Francë i thanë "Jo" projektit të Kushtetutës evropiane.
Presidenti Jacque Chirac tha se rezultati ka krijuar kontekst të vështirë për mbrojtjen e interesave të Francës në Evropë, dhe paralajmëroi ndryshime të mundshme në qeveri.
Kryetari i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, bëri thirrje për të reflektuar ndaj votës franceze. "Kjo do të thotë se kemi një problem serioz. Franca është anëtare shumë e rëndësishme e BE-së, njëra nga themelueset. Nuk mund ta konceptojmë Evropën pa Francën. Tash na duhet pak kohë për të menduar", tha Barroso, duke shtuar se marrëveshja ende nuk ka dështuar.
Ngjajshëm u prononcua edhe kryeministri britanik Tony Blair. "Ajo që tash ka rëndësi është koha për të reflektuar. Pas dy ditësh e kemi referendumin në Holandë, dhe pastaj, nga mesi i qershorit, takimin e Këshillit të Evropës, në të cilin, të gjithë udhëheqësit mund t'i diskutojnë pasojat e votimeve të fundit", tha Blair.
Në Berlin, kancelari gjerman Gerhard Schroeder tha se rezultati i referendumit në Francë është një goditje për procesin, por jo edhe përfundim i tij. "Më ka ardhur shumë keq dhe këtë e kam bërë të qartë. Është detyrë e jona e përbashkët që të sigurojmë se procesi i ratifikimit po vazhdon", tha Schroeder.
Për këtë u shpreh edhe kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker, vendi i të cilit aktualisht e kryeson Bashkimin Evropian. Ai bëri të ditur se udhëheqësit e BE-së do ta rishikojnë situatën në samitin e tyre të rregullt më 16 dhe 17 qershor.
Deri tash, dokumentin e kanë ratifikuar 9 vende anëtare të Unionit. Edhe tetë referendume janë të caktuara, përfshi atë të Holandës që do të mbahet të mërkurën, ku gjithashtu anketimet flasin për përparësi të kundërshtarëve të dokumentit.