TEHERAN

Sipas rezultateve jozyrtare, kryebashkiaku konservator i Teheranit Mahmud Ahmadinejad ka fituar në zgjedhjet e djeshme presidenciale në Iran.
Këtë e kanë konfirmuar edhe burime nga kampi kundërshtar i ish presidentit Akbar Hashemi Rafsanjani.
Raportohet se Ahmadinejad, i cili gjatë fushatës ka premtuar më shumë drejtësi sociale, ka kaluar më mirë në zonat e varfëra të vendit.
"Gjithçka është gati, e kemi pranuar humbjen", ka thënë për agjencinë Reuters një bashkëpunëtor i paemëruar i Rafsanjanit, i cili në garën presidenciale hyri me reputacionin e kandidatit liberal, i prirur ndaj reformave dhe bashkëpunimit me botën.
Zyrtarët e Këshillit për Mbrojtjen e Revolucionit, i cili duhet ta miratojë rezultatin e votimeve, kanë njoftuar se nga 13.3 milionë votat e numëruara deri më tash, Ahmadinejad ka fituar rreth 62 %.
Në Uashington, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Joanne Moore tha se zgjedhjet treguan se Irani nuk "është në hap" me ndryshimet demokratike në Irak, Afganistan dhe Liban.
Rezultatet zyrtare priten gjatë ditës.