VRULLI I DOBËSUAR I KOMBEVE TË BASHKUARA NË KOSOVË

International Herald Tribune

Për më shumë se gjashtë vjet, Kosova ka qenë dhe është një shtëpi për një prej projekteve më ambicioze në historinë më të re të shtetformimit. I armatosur me një autoritet pothuajse absolut dhe i mbështetur nga forcat paqeruajtëse të NATO-s, misioni i Kombeve të Bashkuara ka bërë përpjekje që të krijojë një sistem bashkëkohor demokratik, në një shoqëri që është karakterizuar për dekada të tëra me tensione ndëretnike në mes të shumicës shqiptare dhe pakicës serbe. Me një çmim prej 1.3 miliardë dollarësh në vit, administrata ndërkombëtare ka ndihmuar në ndërtimin e institucioneve në Kosovë dhe deri në vitin 2001, arritjet në këtë drejtim janë marrë si shembull që ilustron ndërtimin e demokracisë. Por, pastaj ky proces filloi të duket si i ngrirë, për shkak të paaftësisë së të huajve që të gjejnë zgjidhje për nevojat e njerëzve që jetojnë tërë jetën e tyre në Kosovë. Larry Rossin, diplomati amerikan në pension dhe zëvendës i shefit të administratës ndërkombëtare, është i mendimit se zhvillimi i institucioneve në Kosovë, deri diku është penguar nga roli i vazhdueshëm i Misionit të Kombeve të Bashkuara. Në ditët e ardhshme, ambasadori Kai Eide pritet ta dorëzojë raportin e tij për përmbushjen e standardeve në Kosovë dhe diplomatë anonim citohen të kenë thënë se në këtë raport, ambasadori norvegjez do të konkludojë se shqiptarët kanë punuar mjaft në këtë drejtim për të mundësuar fillimin e bisedimeve mbi statusin.
Disa përfaqësues të lartë ndërkombëtarë presin që bisedimet mbi sovranitetin e Kosovës të zgjidhin shumë probleme, qoftë politike apo ekonomike, të cilat Kombet e Bashkuara nuk kanë qenë në gjendje t’i adresojnë. Të tjerët ndërkaq tërheqin vërejtjen se përderisa dështimi për të zgjidhur të ardhmen e këtij vendi mund të ketë nxitur trazira, modeli i adoptuar në Kosovë për shtetformimin ka qenë shumë i ngushtë dhe autoritar, për t’ua lënë tash në duar institucioneve rolin e ruajtjes së paqes dhe demokracisë.
Madje, edhe vetë zoti Rossin, ka thënë se bisedimet mbi statusin kanë mundur të fillojnë para dy vjetësh, me një përkrahje të njëjtë ndërkombëtare sikurse tash, por edhe me një qasje më të fortë bashkëpunimi në mes të misionit dhe politikanëve vendorë, në vend të garës dhe kritikave të vazhdueshme në adresë të institucioneve vendore. Tensionet rriten edhe nga vështirësitë e rënda ekonomike, derisa qeveria është afër bankrotimit në mungesë të të ardhurave që do të mbeshtesnin kërkesat bazë. Zoti Rossin thotë se Kosova jeton pothuajse në tërësi nga të ardhurat prej doganave dhe donacioneve, ka një buxhet jashtëzakonisht të ngushtë dhe është një vend që ka nevojë dëshpëruese për të zgjidhur një numër të madh problemesh sociale.