ROMË

Duke folur për luftën kundër terrorizmit, presidenti amerikan, George Bush u shpreh sot se "perëndimi gjendet në një pikë vendimtare në histori" që është e ngjashme me betejen kundër komunizmit pas Luftës së Dytë botërore. Ai mëtutje tha se "për fat të mirë ne qëndruam kundër komunizmit" dhe tash "Evropa është e tërë dhe paqesore". Presidenti Bush tha se për këtë arsye nuk do të tërhiqet për asnjë milimetër në luftën kundër terrorizmit. Këto komente zoti Bush i bëri në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin e Italisë, Silvio Berlusconi në Romë. Duke folur për çështjen e Irakut, presidenti amerikan, George Bush tha:
-E ndjej shpirtin e një uniteti në kuptimin e punës me qeverinë e re të Irakut. Për këtë arsye ne po punojmë për së afërti me vendet e tjera për ta pasur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që e konfirmon atë që e thash tash dhe besoj se këtë do ta kemi së shpejti.

Kryeministri Silvio Berlusconi premtoi se Italia do të qëndroj së bashku me Shtetet e Bashkuara në Irak. Ai përmendi se trupat italiane po merrnin pjesë në misionin në Irak, ashtu siç po veprojnë edhe në misionet paqeruajtëse në Bosnjë, në Kosovë dhe në Afganistan.