INSTITUCIONET E KOSOVËS PRESIN QË UNMIK-U TË NDRYSHOJË ROLIN

Rrahman Paçarizi, Prishtina

Soren Jessen Petersen duhet të jetë njeriu që do të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës, ta lëvizë mekanizmin e UNMIK-ut dhe ta shndërrojë atë në organ këshilldhënës në Kosovë, kanë vlerësuar zyrtarë të institucioneve të Kosovës në reagimet e para pas njoftimit se diplomati danez Jessen Peterson do të emërohet shef i ri i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Muhamet Hamiti, zëdhënësi presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, tha se, pavarësisht se ky emërim nuk është përfundimtar, pret që kryeadministratori i ri Kosovës të vijë këtu me vullnetin për të bartur pushtetin tek institucionet vendore:
"Administratori i ri i OKB-së, kushdo që të jetë ai, duhet të vijë këtu me vullnetin që të bartë pushtet efektiv tek institucionet e Kosovës dhe në këtë mënyrë institucionet tona pas zgjedhjeve të vjeshtës do të aftësoheshin për të qeverisur një vend të pavarur në mënyrë sovrane."
Ndërkaq, zëdhënësja e qeverisë së Kosovës, Mimoza Kusari tha se e rëndësishmja me këtë rast ishte se kryeadministratori i ri ishte emëruar brenda një kohe relativisht të shkurtër që nga dorëheqja e zotit Harri Holkeri:
"Më duhet të cek se ky emërim po vjen për një kohë relativisht të shkurtër pas dorëheqjes së kryeadministratorit Holkeri dhe ky është një proces që duhej të ndodhte domosdoshmërisht, për arsye të dinamizmit dhe kushteve të tjera, në të cilat ndodhet Kosova dhe vlerësohet pozitiv fakti i emërimit të kryeadministratorit të ri relativisht shpejt pas largimit të zotit Holkeri."
Shefi i përparshëm i UNMIK-ut, Harri Holkeri pati dhënë dorëheqje në fillim të këtij muaji në Helsinki, kryeqytetin e vendit të tij, ndërkohë që takimet e fundit lamtumirëse në Kosovë i zhvilloi madje deri në fund të javës së kaluar. Tani, Soren Jessen Peterson, është danezi i dytë i emëruar në postin e kryeadministratorit ndërkombëtar të Kosovës, pas Hans Haekkerupit, i cili pati dhënë dorëheqje në vitin 2001.
Zëdhënësja e qeverisë Mimoza Kusari tha se më e rëndësishmja për kryeadministratorin e ri të Kosovës është që të jetë i njohur me proceset në Kosovë:
"Duhet të jetë përkrahës i bashkëpunimit të UNMIK-ut me qeverinë dhe me institucionet e tjera kosovare dhe njëkohësisht duhet të jetë i gatshëm të lëvizë mekanizmin e UNMIK-ut në Kosovë në lidhje me transferin e kompetencave, domethënë kalimin gradual të UNMIK-ut nga institucion vendimmarrës në institucion këshilldhënës."
Zoti Hamiti tha se bartja e pushtetit efektiv tek institucionet do të ishte rruga e vetme e suksesit për kryeadministratorin e ri:
"Kjo që kemi pasur deri më tani është provuar që prej pesë vjetësh. Misioni OKB-së, sipas nevojës do të merrte rol këshilldhënës apo monitories dhe thënë shkurt, administratori i ri duhet të vijë me vullnetin për të ndryshuar rrënjësisht rolin e UNMIK-ut në mënyrë që institucionet e Kosovës të ushtrojnë pushtetin që buron nga vota e popullit."
Sidoqoftë, zyrtarët e kanë vlerësuar si të rëndësishme dhe shprehje të vullnetit të mirë për të ecur përpara faktin që kryeadministratori është zgjedhur brenda një kohe të shkurtër.