NAJAF

Zyrtarët e Irakut thanë se kanë arrestuar 50 njerëz, të dyshuar për lidhje me sulmin vetëvrasës në Najaf.
Ndërkohë, udhëheqësit e myslimanëve shiitë u bënë thirrje mbështetësve të tyre të tregojnë përmbajtje pas shpërthimeve në tempujt shiitë në Najaf dhe Qerbela, ku u vranë 62 njerëz dhe u plagosën mbi 100 të tjerë.
Ajatollahu i madh Mohamed Said al-Hakim tërhoqi vërejtjen se sulmuesit "përpiqen të nxitin kryengritje dhe të destabilizojnë vendin". Kleriku Mohammad Bahr al-Uloum tha se përpjekjet për të nxitur luftën sektare dhe për të penguar zgjedhjet e 30 janarit, kanë dështuar më parë dhe do të dështojnë përsëri.
Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmet.