A. ÇAÇI: DO TA RATIFIKOJMË MARRËVESHJEN ME SHBA-TË PËRKUNDËR PRESIONEVE NGA BE-JA

Albert Çaçi, anëtar i Komisionit të Ligjeve

RADIO EVROPA E LIRË
Në Komisionin e Ligjeve është diskutuar ratifikimi i marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale. A pati debate dhe cili ishte rezultati i votimit?

ALBERT ÇAÇI
Komisioni i ligjeve mori në shqyrtim marrëveshjen e nënshkruar midis kryeministrit Fatos Nano dhe Sekretarit amerikan të Shtetit Kolin Pauell dhe e kaloi atë me unanimitet. Nuk pati asnjë kundërshtim, për arsye se për sa i përket politikës së shtetit shqiptar lidhur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, klasa politike shqiptare është e bashkuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur pritet që të shqyrtohet marrëveshja në Kuvend?

ALBERT ÇAÇI
Ky ratifikim që do të bëhet në parlament do të kalojë për diskutim edhe në Komisionin e Jashtëm dhe javën që vjen, praktikisht të enjten, do të kalojë në seancë plenare dhe unë kam bindjen e plotë se do të kalojë pothuajse me unanimitet.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, cilat janë arsyet e votimit me unanimitet që priten të zhvillohen në Kuvend, duke patur parasysh presionet publike që vijnë nga Bashkimi Evropian?

ALBERT ÇAÇI
Megjithëse duhet të kemi parasysh se ka patur le ta quajmë presion, dhe ky lloj presioni është i shkruar në dy letra të dërguara nga Zoti Shrëder i Këshillit të Evropës dhe nga Amnesty International, ku u bëhet thirrje deputetëve që të mos ta ratifikojnë këtë marrëveshje, deputetët duken se janë të vendosur për ta ratifikuar këtë marrëveshje. Arsyeja për mendimin tim është se së pari, ndër të gjithë popujt e Ballkanit, shqiptarët janë më të interesuar për praninë amerikane në rajon. Kur them shqiptarët, nuk nënkuptoj vetëm Shqipërinë, por gjithë shqiptarët e rajonit. Së dyti rritja e nivelit të marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, e cila para dy ditësh edhe në fushën ushtarake njohu një hov tjetër cilësor me vizitën e zotit Rumsfeld, tregon qartë që këto marrëdhënie kanë arritur një stad më të avancuar. Dhe pikërisht nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje jep atë garancinë e duhur që e kërkojnë nga parlamenti jonë amerikanët, për të çuar më përpara këto marrëdhënie, për të cilat është shumë i interesuar shteti shqiptar.

RADIO EVROPA E LIRË
Me këtë votim në parlament a po zgjedh Shqipëria mes SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian?

ALBERT ÇAÇI
Nuk është se Shqipëria tani po zgjedh midis Shteteve të Bashkuara dhe BE-së. Shteti jonë është një shtet i atyre përmasave, që nuk mund të lozë me karta të mëdha. Por Shqipëria bën zgjidhjen e saj për efekt të sigurisë së saj kombëtare. Për arsye politike, historike, që kemi ne në rajon, Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kjo u pa dhe në mbështetjen qoftë dhe simbolike përmes komandove tona që janë aktualisht në Irak.

Intervistoi Alma Çupi