Y.HYSA: NXJERRJA E LIGJEVE TË REJA DO TË ZHVELFTËSOJË LIGJET DISKRIMINUESE SERBE

Ylber Hysa, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hysa, zyrtarë të UNMIK-ut kanë thënë se vlerësimet e para për përmbushjen e standarteve mund të priten gjatë janarit. Cili është mendimi juaj për këtë mundësi?

YLBER HYSA
Konsideroj që çështja e standardeve ka filluar së aplikuari vonë dhe një plan për implementimin tashmë ka shënuar një humbje prej një viti e gjysëm. Të gjithë duhet të jemi koshientë, jo vetëm kosovarët, por edhe UNMIK-u dhe kryeqytetet perëndimore, që ky proces po fillon me një vonesë të theksuar, prandaj qartësimi i implementimit të standarteve duhet të jetë një punë urgjente dhe në këtë aspekt secili duhet të ketë pjesën e vet të obligimeve. Pala kosovare vështirë se mund të ketë obligime pa patur kompetenca, pra kjo punë duhet të ndodhë sa më shpejt. Gjithashtu edhe pengesat që tashmë kanë filluar të bëhen në mënyrë të qartë nga Beogradi, gjithsesi duhet të marrin jo vetëm kritikën nga perëndimi, por besoj edhe një pozicionim shumë konkret politik. Prandaj konsideroj që faza e implementimit duhet të jetë një proces i miratuar dhe i ndihmuar nga të gjithë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër zoti Hysa, një ndër pengesat për përmbushjen e standardeve është edhe refuzimi i serbëve të Kosovës për të marrë pjesë në procesin teknik të implementimit të tyre. Sa mund të ndikojë ky fakt në vetë procesin?

YLBER HYSA
Po gjithsesi do të ndihmojë në pengimin e mbarëvajtjes, prandaj kjo duhet paraparë në skenarin e implementimit në kuptimin që duhet llogaritur si një lloj indikatori, i cili nuk do duhej t'ju ngjitej kosovarëve. Ata që bojkotojnë dhe pengojnë nuk do duhej të ndikonin në proces, por të bëheshin objekt i kritikës. Unë konsideroj se serbët tashmë në mënyrë të qartë, ose një pjesë e tyre në Kosovë, kanë kuptuar që ata ndoshta mund të mbajnë një këmbë në derën tonë, prandaj konsideroj që në mënyra të ndryshme do mundohen të nxjerrin pengesa, siç ishte rasti para disa kohësh i deklaratës së Shën Kollit në Mitrovicë apo dhe aspekte të tjera, të cilat nuk do të ndërlidhen drejtpërsëdrejti vetëm me zgjedhjet në Serbi, por edhe me pengesa shumë më konkrete. Prandaj gjykimi për implementimin e standardeve mund të ndikohet edhe nga incidentet që mund të jenë të organizuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, ka kërkuar që të shkojë në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork dhe të raportojë bashkë me zotin Holkeri. Sa është i rëndësishëm ky fakt dhe si mund ta sigurojnë institucionet e Kosovës, konkretisht qeveria pjesëmarrjen në Këshillin e Sigurimit në raportime të tilla.

YLBER HYSA
Unë nuk mendoj se është një vendim që mund ta marrë Prishtina vetë, mirëpo ajo që mund të bëjnë institucionet kosovare është që të ushtrojnë ndikim dhe presion tek vendimmarrësit që të konsiderojnë këtë kërkesë në mënyrë që kosovarët të jenë pjesë e një procesi të implementimit, sepse mesiguri nuk ka shumë llogjikë nëse kosovarëve u kërkohet të jenë vetëm faktorë ndërsa të tjerët të jenë pjesë e vlerësimit dhe arbitrimit. Duan apo s'duan kosovët janë partnerë në këtë proces dhe si të tillë duhen pranuar edhe nga Nju Jorku.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë zoti Hysa ligjet e aplikueshme serbe janë vlerësuar nga politikanët kosovarë si pengesë qoftë për përmbushjen e standardeve qoftë për privatizimin. Cila është rruga sipas jush për ta eleminuar këtë pengesë, në kohën kur UNMIK-u nuk ka njohur vendimin e Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e këtyre ligjeve?

YLBER HYSA
Reagimi i kosovarëve është në fakt një lloj kundër reagimi, më shumë politik dhe me pak nervozizëm në bazë të llogjikës së kundërveprimit, sesa një veprim institucional legal i cili mund të zhbëjë ligjet diskriminuese. Konsideroj që puna më e mirë që institucionet kosovare mund ta bëjnë në këtë aspekt është të nxjerrin ligje të reja, sepse ato do të kenë vulën e një ligji që ndërtohet brenda një legjislacioni të pranuar ndërkombëtar. Prandaj puna konkrete do të zhbëjë ligjet që janë diskriminuese.

Intervistoi Rahman Paçarrizi