BRUKSEL

Shtetet e Bashkuara u kanë thëne aleatëve të tyre në NATO, të përgatiten për një betejë të gjatë dhe të koordinuar kundër terrorizmit mirëpo paraqitën pak të dhëna specifike për kryesit e akteve terroriste në Nju Jork dhe Uashington. Sekretari i Përgjithshëm i NATOs-s, lordi George Robertson, përsëriti vendosmërinë e Aleancës për t'i prerë rrënjët terrorizmit ndërkombëtar dhe ftoi pjesëmarrësit të mbanin një minutë heshtje në kujtim të viktimave të 11 shtatorit. Pol Volfoviz, zëvendës sekretar i Mbrojtjes, i cili paraqiti raportin amerikan në Bruksel, nënvizoi rëndësinë e informacioneve të zbulimit, bashkëpunimin logjistik dhe ndërprerjen e financimeve për rrjetet terroriste. Ai tha se kishte “përkime alarmuese”, siç cilësoi, mes shteteve që strehojnë terroristët dhe atyre që kanë programe aktive për zhvillimin e armëve të shkatërrimit në masë.