Ivanoviq: Kërkesat për ndarje - pasojë e frustrimit të serbëve

Oliver Ivanoviq

"Edhe pse situata dhe ndonjë veprim i mundshëm i Serbisë gjason sikurse Serbia synon ta ndajë Kosovën, megjithatë kjo ende nuk është politikë zyrtare", thotë politikani serb, Oliver Ivanoviq, në intervistë për Radion Evropa e Lirë.

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Ivanoviq, më shumë se një muaj pas pavarësisë, Kosova është njohur nga 33 shtete, përderisa Serbia po kërkon edhe publikisht ndarjen në vija etnike. Si i komentoni ju zhvillimet aktuale në Kosovë?

OLIVER IVANOVIQ
Edhe pse situata dhe ndonjë veprim i mundshëm i Serbisë gjason sikurse Serbia synon ta ndajë Kosovën, megjithatë kjo ende nuk është politikë zyrtare. Madje, shumica në Qeverinë dhe Kuvendin e Serbisë nuk e duan ndarjen si zgjidhje dhe këtu e kam fjalën për shumicën absolute.

Prandaj, këto veprime, më shumë i konsideroj si veprime reagimi ndaj një gjëje, të cilën e konsiderojmë si jo të ligjshme, pra fjalën e kam për pavarësinë e Kosovës. Reagime të tilla janë përgjigje ndaj këtij veprimi, por edhe ndaj njohjeve të disa vendeve të Evropës dhe botës të pavarësisë së Kosovës, të cilat nuk e ndihmojnë ndryshimin e qëndrimeve tona në raport me këtë pavarësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni thënë, ditë më parë, se lehtë është të bësh politikë shoviniste serbe në veriun e Mitrovicës, por çmimin do ta paguajnë serbët në jugun e Kosovës. Kush qëndron pas kësaj politike?

OLIVER IVANOVIQ
Padyshim se në mesin e serbëve është i pranishëm një frustrim, për shkak të pavarësisë së Kosovës dhe reagimet ndonjëherë janë tepër spontane dhe kaotike.

Nuk është me rëndësi kush qëndron prapa kësaj politike; për mua është e rëndësishme që në mesin e serbëve ekziston kjo pakënaqësi e madhe dhe ky frustrim dhe këto reagime thjesht duhet të kanalizohen nga ana e atyre që janë përgjegjës, atyre që janë në pushtet.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ivanoviq, ju patët thënë se pavarësia është vetëm një akt deklarativ dhe asgjë më shumë. Megjithatë, pas këtij akti kanë pasuar njohjet nga vendet më të fuqishme në botë. E besoni ju realitetin e ri të krijuar në Kosovë?

OLIVER IVANOVIQ

Absolutisht. Ky qëndrim, kjo shpallje e pavarësisë nuk do të thotë asgjë më shumë se një deklaratë. Asgjë thelbësore nuk ka ndryshuar në jetën e njerëzve, qoftë në atë të shqiptarëve apo të serbëve.

Ne nuk e pranojmë këtë pavarësi, pavarësisht nga fakti nëse atë e kanë njohur 30 shtete. Mendoj se ky numër është larg shumicës në OKB dhe përderisa pavarësia e Kosovës nuk verifikohet nga Kombet e Bashkuara, nuk mund të llogaritet se Kosova është vërtet vend i pavarur dhe sovran. Madje, sa i përket sovranitetit, mendoj se nuk do ta ketë për një kohë të gjatë, sepse është pothuajse e sigurt se si një shtet i panjohur nga OKB-ja, Kosova nuk mund të zhvillohet ekonomikisht dhe si e tillë do të jetë gjithmonë jostabile, e përfshirë nga krimi i organizuar dhe nga të gjitha ato prej të cilave komuniteti ndërkombëtar është i shqetësuar.

RADIO EVROPA E LIRË

Ish-ambasadori në OKB, Richard Holbrooke, ka thënë ditë më parë se Serbia e ka humbur Kosovën përgjithmonë, por mund ta humbë edhe Bashkimin Evropian përgjithmonë. Si e shihni ju këtë?

OLIVER IVANOVIQ
Mendoj se Serbia nuk e ka humbur Kosovën përgjithmonë dhe e dyta, BE-ja dhe raporti me Kosovën nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Edhe Qiproja e ka humbur pjesën veriore përkohësisht, por, megjithatë, është anëtarësuar në BE.

Sipas meje, edhe Serbia, si tërësi me Kosovën, do të pranohet në BE në 4-5 vjetët e ardhshëm. Mendoj se mund të ndodhë që nëse Serbia merr këtë rrugë, pas 4 apo 5 vjetësh, shqiptarët do të pyeten nëse duan që në përbërje të Serbisë të jenë anëtarë të BE-së, apo nëse duan të mbeten në kuadër të një çështjeje të pazgjidhur, si shtet i panjohur, jashtë Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Qeveria e Kosovës po deklaron se do të ofrojë kushte të avancuara për serbët, në mënyrë që të integrohen në shoqërinë kosovare. Çfarë i bën serbët që vërtet të integrohen në Kosovën e pavarur?

OLIVER IVANOVIQ
Mendoj se nuk ekziston ai çmim; thjesht, serbët nuk mund ta pranojnë atë. Nuk mund ta paramendoj se çfarë është ajo ofertë, e cila mund ta bindë një serb që ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Një gjë e këtillë mendoj se tash nuk ekziston dhe as që duhet bërë përpjekje rreth kësaj.

Serbët gjithmonë do të mendojnë se Kosova është pjesë e Serbisë. Kjo është e qartë dhe në këtë duhet të llogarisin edhe shqiptarët, edhe Evropa dhe pjesa tjetër e botës.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas trazirave të dhunshme, ditë më parë, çfarë është situata aktuale në Mitrovicë?

OLIVER IVANOVIQ
Është goxha e tensionuar, megjithëse është e qetë dhe nuk po ndodh asgjë, por kjo qetësi dhe paqe është shumë e brishtë dhe kam frikë se ndonjë incident i çfarëdo shkasi mund të nxisë grumbullimin e njerëzve në rrugë.

Thjesht, në rrënjën e gjithë kësaj ekziston një pakënaqësi e përgjithshme, e thellë dhe fundamentale mbi statusin e Kosovës. Prandaj, bota dhe Evropa duhet të llogarisin në këtë dhe kam frikë se me lehtësi e kanë nisur këtë aventurë që quhet pavarësi e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka disponim që të pranohet misioni i BE-së në Mitrovicë, meqë ky mision deri tani është kundërshtuar?

OLIVER IVANOVIQ
Ne aspektin formal, politik dhe ligjor, misioni EULEX nuk është i ligjshëm. Ky mision është plotësisht një interpretim joligjor dhe një improvizim.

EULEX mund të vijë në veri të Kosovës, vetëm nëse për të vendosë Këshilli i Sigurimit dhe një gjë e tillë nuk shoh se si mund të ndodhë.