Livni bisedon me Rice mundësinë e armëpushimit

Ministrja e Jashtme e Izraelit, Tzipi Livni po udhëton drejt Uashingtonit për bisedime me sekretaren amerikane të shtetit, Condoleezza Rice, rreth mundësisë së armëpushimit në Rripin e Gazës.

Vizita e Livnit vie në kohën kur ofensiva izraelite kundër Hamasit në Rripin e Gazës ka hyrë në ditën e 21.

Bisedimet do të fokusohen në masat që do të ndalonin Hamasin për t'u furnizuar me armë dhe raketa.

Njoftohet se Izraeli ende nuk i është përgjigjur ofertës së Hamasit për një vit armëpushim me kusht të tërheqjes së ushtrisë izraelite nga Gaza dhe rihapjen e kufirit.

Ndërkohë, zyrtarët palestinezë thanë se armata izraelite ka vrarë një protestues palestinez në qytetin Hebron në Bregun Perëndimor, pas përleshjeve që shpërthyen gjatë një tubimi kundër luftimeve në Gaza.