Marrëdhëniet SHBA-Rusi nën administratën Obama ishin tema e diskutimeve të panelit të ekspertëve në Këshillin për Marrëdhënie të Jashtme në New York.
Presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe të Rusisë, Barack Obama dhe Dmitry Medvedev, shihen si njerëz të gjeneratës së njëjtë, liderë pragmatikë dhe teknokratë, më shumë të udhëhequr nga arsyeja se nga politika.
Por a munden këto ngjashmëri t'i ndihmojnë Moskës dhe Washingtonit që ta tejkalojnë mosbesimin, i cili i karakterizoi marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve nën Vladimir Putinin dhe George Bushin.
Administrata e ish presidentit Bush është kritikuar shpesh nga Perëndimi për qëndrim e saj të butë ndaj Rusisë.
Por, pjesëmarrësit e panelit në New York, theksuan se vetë rusët mendojnë se Bushin e kishin më së paku mik nga presidentët amerikan.
Përfaqësuesi i kompanisë Ford Motor, Stephen Biegun tha se kundërshtimet e dukshme ishin rezultat i perceptimit të ndryshëm nga ana e rusëve dhe e amerikanëve për çështje të ndryshme si energjia, Irani dhe raportet e Rusisë me fqinjët.
Biegun thotë se tash dy liderët e rinj të Rusisë dhe SHBA-ve, ne veçanti Barack Obama, e kanë mundësinë të bëjnë një fillim të ri për këto dhe çështje tjera.
"Presidenti Obama në mënyrë të qartë gëzon më shumë aftësi për ta hequr barrën e rëndë nga administrata e kaluar sa i përket çështjeve ndërmjet Rusisë dhe SHBA-ve. Presidenti Medvedev e ka atë mundësitë poashtu duke marrë parasysh temperamentin e tij", thotë Biegun.
Ndërkaq drejtori i Qendrës Davis për studime të Rusisë dhe Euro Azisë në Universitetin e Harvardit, Timothy Colton, thekson se ka pak të ngjarë të mendohet se Medvedev ka fuqi të mjaftueshme për të larguar Putinin nga posti i kryeministrit.
Por ai thotë se perceptimi i rusëve për Putinin si mbajtësi i vetëm i pushtetit, mund të ndryshojë.
"Medvedevi nuk mund ta bëjë këtë. Në fakt nuk mund të kritikojë Putinin. Kjo nuk është një praktikë e natyrshme në politikën ruse. Por deri në zgjedhjet presidenciale më 2012 gjërat mund të ndryshojnë", thotë analisti Colton.
Asnjëri nga panelistët nuk e parashikojnë një revolucion në Rusi, të ngjashëm me atë në Gjeorgji, Ukrainë dhe Kirgizi.
Njohësja tjetër e politikës ruse, Masha Lipman, thotë se rritja e pakënaqësisë së brendshme mund të dobësojë kontrollin e fuqishëm politik të zhvilluar nën sundimin e Putinit.
"Kjo nuk është autokraci e bazuar në represion të fuqishëm masiv. Por është një sistem i bazuar në marrëveshje, kontrata dhe blerje te lojalitetit. Dhe natyrisht, një është të blesh lojalitetin kur çmimi i gazit është 140 dollarë dhe është krejt ndryshe kur çmimi është i ulët", thotë Lipman.
Ndërkaq Stephen Sestanovich analist për Rusinë dhe Euro Azinë në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, thotë se raporti i Rusisë me disa ish vende sovjetike është shndërruar në çështjen më kontestuese sa i përket politikës së jashtme të Uashingtonit dhe Moskës.
"Çështja e raportit të Rusisë me vendet fqinje është ngritur në qendër të marrëdhënieve të Rusisë jo vetëm me Shtetet e Bashkuara, por edhe me Evropën".
"Nëse mendoni se çfarë bashkëveprimi është bërë midis Evropës dhe Rusisë në gjashtë muajt e fundit, në vend të parë janë bisedimet dhe përfundimi i luftës me Gjeorgjinë. Presidenti i Francës Sarkozy u shndërrua në diplomat fluturues. Tash për presidencën çeke, një çështje tjetër e rëndësishme është raporti i Rusisë me Ukrainën", përfundon Sestanovich.