Obama: 275 miliardë$ për kreditë e shtëpive

Presidenti amerikan Barack Obama paraqiti planin e tij në vlerë prej 275 miliardë dollarësh për të lehtësuar krizën e kredive të shtëpive në Shtetet e Bashkuara.

"Të gjithë po paguajmë çmimin e krizës së kredive të shtëpive. Por ne të gjithë do të paguajmë një çmim edhe më të lartë nëse lejojmë që kjo krizë të thellohet. Kriza po godet pronarët e shtëpive, klasën e mesme madje po godet vetë ëndrrën amerikane. Nëse ne veprojmë shpejt dhe me vendosmëri t'i japim fund kësaj spirale atëherë do të përfitojë çdo amerikan ", tha Obama në Arizona.

Plani për shpëtimin e kredive të shtëpive vjen një ditë pasi presidenti amerikan nënshkroi ligjin për paketën stimuluese ekonomike, që synon të ringjallë ekonominë amerikane.

Masat që u miratuan javën e kaluar nga Kongresi, synojnë krijimin e 3.5 milionë vendeve të punës në SHBA, përmes uljes së taksave dhe investimit masovik të qeverisë në infrastrukturë dhe projekte të tjera.