GNK: Integrimi i serbëve, sfidë kyçe

Më shumë se një vit që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, integrimi i pakicës serbe mbetet sfida kryesore. Për Beogradin, izolimi i serbëve nga institucionet e Kosovës është shtylla kryesore e politikës për zhvlerësimin e pavarësisë së Kosovës, thuhet në raportin e fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, me titullin “Integrimi i Serbëve në Kosovë:Vendimi për të ecur përpara”.

Në raport thuhet se “Beogradi ka përqëndruar një numër të konsiderueshëm burimesh, por me sukses të kufizuar, veçanërisht në jug të lumit Ibër, ku jeton shumica e serbëve të Kosovës. Komunat paralele serbe atje operojnë me një kapacitet të kufizuar dhe nuk kanë pasur mundësi të përmbushin kërkesat e komunitetit serb”.

“Qeveria e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtarë janë duke bërë përpjekje ta çojnë këtë proces përpara nëpërmjet decentralizimit, si mënyrën më të mirë për t’i angazhuar serbët në institucionet e shtetit të ri dhe për t’i bindur ata se kanë të ardhme në to”, thuhet në raport, në të cilin jipen edhe rekomandime për autoritetet vendore dhe ndërkombëtare të tregojnë ndjeshmëri karshi shqetësimeve të komunitetit serb.

“Referencat ndaj statusit të Kosovës duhet të shmanget dhe pjesëmarrja e serbëve nuk duhet të paraqitet si triumph për pavarësinë”, thuhet në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave.