OKB: KS-ja dënon dhunën seksuale në luftë

  • Nik Krastev

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun, dhe sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, gjatë takimit të Këshillit të Sigurimit, 30 shtator 2009.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara unanimisht ka miratuar rezolutën, që e dënon dhunën seksuale në konfliktet ushtarake. Në këtë rezolutë u bëhet thirrje qeverive që në mënyrë më të vendosur të veprojnë për ta eliminuar këtë dukuri.

Duke përkujtuar përvojën e errët nga gjenocidi i Ruandës në vitin 1994, ku gjysmë milioni gra ishin dhunuar, ndërsa autorët nuk ishin dënuar, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, e cila e kryesoi takimin e Këshillit të Sigurimit, tha se roli dhe të drejtat e grave janë shndërruar në çështje kryesore të politikës së jashtme.

“Roli dhe të drejtat e grave në botën e sotme janë kritike - është shqetësim kryesor i politikës së jashtme. Është siguri kombëtare. Kuptohet, kjo ka dimensionin moral, njerëzor, social dhe ekonomik”.

“Por, sa më shumë që dimë për konflikte, aq më tepër e shohim se gratë, që nuk i fillojnë konfliktet, janë shpeshherë viktima. Gratë kanë potencial të jashtëzakonshëm për ta bërë paqen dhe të jenë paqeruajtëse”,
tha Hillari Klinton, në fjalimin e saj në Këshillin e Sigurimit.

Në disa raporte, gjatë dy dekadave të fundit, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka pranuar se deri në 60 mijë femra ishin sulmuar gjatë luftërave në Ballkan dhe qindra-mijëra gra i ishin nënshtruar dhunës seksuale gjatë konfliktit të gjatë në Republikën Demokratike të Kongos.

Konflikti në Kongo paraqet shqetësim edhe për Kombet e Bashkuara, për shkak të paraqitjes së dëshmive se anëtarë të ekipeve paqeruajtëse të OKB-së kishin siguruar favore seksuale nga personat e moshës së mitur.

Duke folur në Këshillin e Sigurimit, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun, tha se shumica e këtyre krimeve kanë kaluar pa dënime, ndërsa viktimat kishin mbetur me jetë të shkatërruara.

“Përkundër një progresi në përgjigjen ndaj dhunës seksuale në konfliktet e armatosura, marrja e qëllimshme në shënjestër e civilëve ka vazhduar pa shënuar rënie. Dhuna seksuale në konfliktet e armatosura dhe në situata të tjera, nuk duhet të ketë vend dhe strehim në botë”, tha Ban Ki-Mun.

Zonja Klinton tha se presidenti amerikan, Barak Obama, ka shprehur përkushtim të administratës së tij që të jetë në mënyrë aktive e angazhuar në mbështetjen e të drejtave të grave dhe të vajzave në mënyrë globale dhe për krijimin e kornizës ligjore për mbrojtjen e tyre në zonat e luftës.

“Ne do të bëjmë më tepër për të parandaluar dhunën kundër grave dhe vajzave, veçanërisht dhunën seksuale, derisa ne jemi të fokusuar në këtë rezolutë. Por, ne do të bëjmë më tepër edhe për t’i përfunduar konfliktet, që gratë dhe fëmijët i kanë viktimat e para”, tha Hillari Klinton.

Disa grupe për të drejtat e njeriut kanë kritikuar Kombet e Bashkuara se u duhet kohë tepër e gjatë për të vepruar lidhur me këtë çështje.

Sekretari i përgjithshëm, Ban Ki-Mun, tha se Kombet e Bashkuara synojnë dërgimin e këshilltarëve për mbrojtjen e grave në kuadër të misioneve paqeruajtëse dhe për të vendosur më shumë femra në personelin policor dhe ushtarak.

“Shtetet dhe palët e tjera në konflikt duhet t’i përmbushin obligimet e tyre ndërkombëtare juridike. Komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë më tepër për parandalimin e dhunës, për mbrojtjen e individëve, për dënimin e keqbërësve dhe që viktimave t’u ndihmojë në ripërtëritje”, tha Ban Ki-Mun.

Megjithëqë rezoluta është miratuar unanimisht në Këshillin e Sigurimit, ajo deri tash e ka mbështetjen e vetëm 61 vendeve, prej 192 shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara.