Mitrovicë: Sulmohet kandidati i AAK-së

Përditësimi i fundit: 12.11.2009 22:49

Persona ende të panjohur kanë sulmuar me armë zjarri kandidatin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar komune në Mitrovicë, Hysni Ahmeti.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në këtë qytet, Besim Hoti, ka thënë se zoti Ahmeti ishte i vetëm në automjetin e tij, kur persona të panjohur kryen sulmin.

“Më shumë se një plumb i shkrepur ka goditur automjetin. Zoti Ahmeti nuk ka pësuar lëndime”, ka thënë zëdhënësi i policisë, Besim Hoti, duke shtuar se organet e rendit janë duke zhvilluar hetime.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një komunikatë për shtyp, e ka dënuar sulmin ndaj zotit Ahmeti, duke e thënë se “ky akt, njësoj sikurse ai i mbrëmshmi në Deçan, është një përpjekje e ligë për ta njollosur procesin e mirë parazgjedhor që kanë zhvilluar partitë politike, kandidatët e pavarur dhe të gjithë qytetarët anekënd Kosovës”.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë liderëve politikë që “të ndikojnë te anëtarësia dhe simpatizantët e partive të tyre, në mënyrë që t’u shmangen akteve të tilla, të cilat bien ndesh me ligjin dhe janë në kundërshtim të plotë me kulturën demokratike”.

Partia e zotit Hyseni, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk ka dashur “të paragjykojë motivet apo kryesit e kësaj tentimvrasjeje” dhe e ka cilësuar këtë akt si “një sulm të drejtuar jo vetëm kundër jetës së zotit Ahmeti, por edhe kundër Mitrovicës, kundër procesit të qetë dhe dinjitoz parazgjedhor dhe kundër Kosovës”.