Zgjedhjet në Partesh janë caktuar të mbahen më 20 qershor të këtij viti. Ky mjedis, njëjtë sikurse edhe veriu i Mitrovicës, nuk përmbushi kushtet për t’u shndërruar në komunë të re gjatë zgjedhjeve më 15 nëntor, siç ndodhi me Graçanicën, Ranillugun e Kllokotin.
Qershori do të jetë muaj zgjedhjesh për Parteshin, fshat ky, që sipas planit për decentralizim, do të shndërrohet në komunë me shumicë serbe.
Parteshi dhe veriu i Mitrovicës qe paraparë t’i mbanin zgjedhjet më 15 nëntor, sikurse edhe tri komunat tjera të reja serbe.
Ngjashëm si në Mitrovicë, edhe në mesin e banorëve të këtij fshati të Gjilanit, të paktën sipas analistëve, ka dominuar rryma kundërshtuese ndaj institucioneve të Kosovës, gjë që ka shtyrë zgjedhjet.
Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, shprehet i bindur se problemet janë tejkaluar.
“Parteshi ka ecur, ka shënuar një progres solid, çka nuk mund të thuhet për Mitrovicën, madje Mitrovicës do t’i duhet më tepër kohë që të krijojë atë përparimin e nevojshëm”.
“Pra, Parteshi, sipas vlerësimeve tona, e ka arritur progresin e nevojshëm dhe atje mund të mbahen zgjedhjet”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Sadri Ferati.
Por, analisti për çështje të decentralizimit, Dardan Gashi, thotë se nuk mendon që gjërat do të shkojnë lehtë në Partesh.
Ai thotë se vija më radikale politike serbe që dominon në këtë vend, pamundësoi zgjedhjet në nëntor dhe do të synojë bojkotimin e zgjedhjeve të 20 qershorit.
“Nuk ka shenja të tilla që pjesëmarrja të jetë masive, sa do të ishte e mirë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Mund të jemi të sigurt se Qeveria e Serbisë dhe grupet tjera, do të tentojnë që të pengojnë procesin dhe të sjellin deri në bojkot”, thekson Gashi.
Institucionet e Kosovës e kanë vlerësuar si të arritur të madhe mbajtjen e zgjedhjeve dhe pjesëmarrjen në to të qytetarëve serbë më 15 nëntor në Graçanicë, Ranillugë dhe Kllokot, duke vlerësuar se serbët po i kthejnë sytë kah institucionet.
Ministri Sadri Ferati thotë se pranimi i institucioneve në mesin e banorëve lokalë, është duke ndodhur edhe në Partesh.
“Sinjalet që ne i kemi nga ekipet përgatitore, flasin se është një interesim dukshëm më i madh sesa që ishte në tetor”, shprehet Ferati.
Por, kundërshti për shkëputjen e Parteshit nga Gjilani kanë ardhur edhe nga banorët lokalë shqiptarë.
Një zë që flet në emër të tyre dhe që kundërshton procesin, është Lëvizja “Vetëvendosje”. Aktivisti i kësaj lëvizjeje, Xhelal Sveçla, thotë se krijimi i komunës së re të Parteshit, nuk i shkon në favor shtetit të Kosovës.
“Kjo do të jetë edhe një komunë, që do të jetë 100 për qind e pastër etnikisht dhe do ketë lidhje drejtpërdrejtë me Serbinë. Kjo i kontribuon kontinuitetit të trevave të pastra etnike, thellë në brendësi të Kosovës deri në komunën e re të Garaçanicës”.
“Qëllimi i Serbisë nuk është që t’i rrisë të drejtat e pakicave në Kosovë, por që Kosovën ta bëjë sa më jofunksionale dhe në një të ardhme të kontribuojë për një ndarje të Kosovës”, thotë Sveçla.
Por, ministri Ferati hedh poshtë këto kritika, duke thënë se Kosova është e obliguar nga Pakoja e Ahtisarit, e tash edhe nga Kushtetuta e saj, që të zbatojë decentralizmin, e me këtë t’ua lehtësojë jetën qytetarëve.
Duke nxjerrë mësim nga komunat e reja serbe, Dardan Gashi, tërheq vërejtjen e moszhbërjes së strukturave paralele komunale, të cilat vazhdojnë të funksionojnë krahas atyre legjitime.
Ai parasheh një të ardhme të njëjtë edhe për Parteshin.
“Ky është problemi numër një - moszhbërja e strukturave paralele. Por, në të ardhmen do të paraqitet edhe problemi tjetër, sikurse ai në komunat e reja me shumicë shqiptare, apo ajo turke, ku s’ka dalë problemi politik aq i madh, sa ai i zhvillimit ekonomik, i mbijetesës ekonomike të komunës”, vlerëson Gashi.
Derisa për Parteshin, tashmë është caktuar data e zgjedhjeve, një gjë e tillë nuk është bërë për komunën e re të Mitrovicës.
Strategjia për integrimin e veriut, e hartuar nga Qeveria dhe ICO-ja parasheh që zgjedhjet atje të mbahen në vjeshtë të këtij viti, por pa përcaktuar datë të saktë.