Kushner: Uleni retorikën!

Ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kushner dhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, gjatë konferencës për shtyp. Prishtinë, 1 mars 2010.

Analistët e çështjeve politike në Prishtinë dhe Beograd vlerësojnë se thirrjet e ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kushner, për dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kanë bazë reale, për shkak se të dyja vendet synojnë integrimin në BE.


Thirrjet e ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kushner, ndaj Prishtinës dhe Beogradit, që të nisin dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, nënkuptojnë thirrje për gjetjen e formave të bashkëpunimit dhe të fqinjësisë së mirë, vlerësojnë analistët e çështjeve politike në Kosovë.

Analisti Behlul Beqaj thotë se ministri francez, Kushner, e ka bërë një thirrje të tillë duke pasur parasysh qëllimet e Kosovës dhe të Serbisë për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

Por, ai shpreh mendimin se dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të pritet të fillojë para se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë një mendim lidhur me Kosovën.

“Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, mendoj se këto porosi do të jenë prioritet i Serbisë, për faktin se me të vërtetë nuk mund të shkohet drejt një qëllimi, nëse Serbia ka kundërshti karshi një shteti tjetër, i cili e ka qëllimin e njëjtë dhe është i ndërlidhur me kontekstin juridik-politik”.

“Prandaj, mendoj se porosia e tij (e Kushnerit) ka qenë e qartë, në mënyrë diplomatike, për faktin se ka injoruar një fakt tjetër, që Serbia, definitivisht, nuk mund të deklarohet tash se a e njeh apo jo pavarësinë e Kosovës
”, vlerëson Beqaj.

Ai thotë se ndaj Serbisë është anashkaluar kushti për njohjen e Kosovës dhe si zëvendësim për njohjen publike të pavarësisë së Kosovës, po kërkohet ndryshimi i përmbajtjeve të raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë dhe kualiteti i këtyre raporteve.

Edhe analisti Ramush Tahiri thotë se thirrjet e ministrit francez, Kushner, kanë të bëjnë me qëllimin e përbashkët të Kosovës dhe të Serbisë për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

“Kosova dhe Serbia kanë një të ardhme të përbashkët, kanë integrimin në Bashkimin Evropian dhe si të tilla duhet t’i ndihmojnë njëra-tjetrës dhe gjithashtu duhet t’i relaksojnë marrëdhëniet ndërmjet vete”.

“Këto marrëdhënie relaksohen duke i pranuar realitetet e njëra-tjetrës dhe duke zhvilluar bisedime për çështje praktike, të cilat mund t’i zgjidhin dhe që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ndërkufitar, por edhe me bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve fqinje, për të gjitha çështjet që janë me interes”,
thotë Tahiri.

Ndryshe, analistët vlerësojnë se thirrja e ministrit Kushner për dialog në mes Kosovës dhe Serbisë, mund të realizohet pavarësisht qëndrimit të deritashëm të Serbisë se një dialog i mundshëm nënkupton bisedimet për status dhe, në anën tjetër, qëndrimit të Kosovës se dialogu mund të zhvillohet vetëm në nivelin ndërshtetëror.

Analisti Beqaj thotë se dialogu mund të zhvillohet për çështje të natyrës pragmatike dhe zgjidhjet e këtyre çështjeve sjellin raportin serbo-kosovar në gjendje të integrimit evropian.

“Mendoj se është absurd i kohës së vet dhe anakronike nëse themi se nuk do të kemi dialog. Dialogu do të jetë i vazhdueshëm, për çështje konkrete, deri në nivelin e prekjes së çështjes formale juridike, siç është çështja e statusit. Por, megjithatë, duhet të jemi korrektë edhe ndaj vetvetes edhe ndaj të tjerëve se, përkundër statusit, ka shumë çështje të tjera të natyrës jetike, si për serbët dhe shqiptarët e Kosovës, që kanë nevojë për t’u zgjidhur”.

“Por, kjo do të reflektohet në raporte indirekte edhe me shtetet tjera që momentalisht nuk e njohin njëri-tjetrin, por që kanë bashkërisht një qëllim, e ky është bashkimi Evropian”
, thekson Beqaj.

Ndërkaq, analisti Tahiri vlerëson se Kosova duhet t’i zhvillojë marrëdhëniet me Serbinë për aq sa ka interes, por pa e tejkaluar sovranitetin dhe integritetin territorial dhe pa shkelur Kushtetutën e saj.

“Janë çështjet praktike për të cilat do të bisedohej. Serbia është e interesuar për pozitën e minoritetit të saj, ndërsa Kosova gjithashtu është e interesuar që ta përmirësojë këtë pozitë në bashkëpunim me institucionet e Serbisë”
, përfundon analisti Tahiri.


Në kërkim të pajtimit


Gjatë qëndrimit në Beograd, Bernard Kushner, sinjalizoi mikpritësit se duhet të angazhohen, jo në njohjen e pavarësisë së Kosovës, por drejt normalizimit të raporteve me Prishtinën.

Beograd - Kushner gjatë takimit me liderët e shtetit serb.
Analistët në Beograd, këtë porosi e lexojnë si kërkesë që Serbia të zbusë retorikën për Kosovën, që të mundësohet fillimi i bisedimeve për çështje praktike të bashkëpunimit rajonal, që nuk do të preknin statusin e Kosovës.

Ata shtojnë se nuk është reale që një gjë e tillë të pritet nga Beogradi para mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Predrag Simiq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd dhe ish-ambasador i Serbisë në Paris, thotë:

“Ministri i Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kushner, në formë të qartë e ka thënë se dëshiron shenja të caktuara të pajtimit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, ndonëse nuk e ka saktësuar se mbi cilat baza. Por, qëndrimi i Beogradit nuk ka ndryshuar, sepse Serbia është në pritje të mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, thotë Simiq.

Ish-ndihmësja e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Aleksandra Joksimoviq, në këtë temë thotë:

“Nga Serbia aktualisht pritet që të mundësojë funksionimin normal të bashkëpunimit rajonal. Më e rëndësishmja është që Serbia të mos pengojë funksionimin e Kosovës dhe që në formë adekuate të marrë pjesë në të gjitha nismat rajonale, që janë të rëndësishme për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

Edhe Predrag Simiq pohon se elita politike në Beograd duhet të fillojë të mendojë se si të shmangë situatën, në të cilën Kosova do të bëhej pengesë e pakalueshme për integrimet evropiane të vendit.

“Mendoj se pak më shumë kreativitet dhe më pak ekskluzivitet nga ana e Serbisë, do të ishin të mirëseardhur. Kjo konkretisht do të thoshte bisedime, kuptohet jo për statusin dhe as njohje e pavarësisë, por që do të respektonin realitetin që tash ekziston. Kosova është partner i rëndësishëm tregtar i Serbisë, me import prej 350 milionë dollarësh".

"Kina nuk do ta njohë kurrë Tajvanin dhe as Tajvani nuk do ta njohë Kinën, por kjo nuk është pengesë që Tajvani të mos investojë 45 miliardë dollarë në Kinë dhe as pengesë e një këmbimi të madh tregtar ndërmjet dy vendeve”
, thotë Predrag Simiq.