Arrestohet dhe dëbohet imami Duka

Fshati Marinë


Autoritetet e Kosovës e kanë arrestuar, e më pas e kanë deportuar në Shqipëri Kastriot Dukën, imamin e vetëshpallur të Marinës së Skenderajt. Një ditë më parë, nën dyshimet për aktivitete të paligjshme, Inspektorati Komunal i Skenderajt, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, e ka mbyllur xhaminë në Marinë.

Në një komunikatë për media, të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, thuhet se Dukës i është ndërprerë qëndrimi i përkohshëm në territorin e Republikës së Kosovës, pasi që ai ka shkelur legjislacionin në fuqi, si dhe në disa raste ka cenuar rendin publik dhe kushtetues të Kosovës.

“Elementet inkriminuese të vërtetuara edhe me paraqitjet publike të zotit Duka, flasin për një ndërrim të arsyes dhe qëllimit, për të cilin edhe i është dhënë lejeqëndrimi në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë, për të shtuar se “zoti Duka, së fundmi, me vendim të plotfuqishëm të gjykatës kompetente, ka qenë i shpallur fajtor për shkelje të legjislacionit në drejtim të qëndrimit të paligjshëm në Republikën e Kosovës”.

“Ekzistojnë arsye të besueshme dhe të vërtetuara edhe nga vetë zoti Duka në paraqitjet e tij publike, se qëllimi primar për të cilin ka kërkuar të qëndrojë në Republikën e Kosovës, është ndryshuar dhe ka orientim krejtësisht tjetër. Leje qëndrimi është lëshuar për zhvillimin e aktiviteteve humanitare, e jo të aktiviteteve të tjera, të cilat zoti Duka i ka ushtruar në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e MPB-së.

“Nisur nga këto fakte dhe në bazë të këtij vendimi, Policia e Kosovës, sot, me datën 3 mars 2010, ka arrestuar dhe deportuar në shtetin amë z. Kastriot Duka. Të njëjtit i ndalohet hyrja në territorin e Republikës së Kosovës, bazuar në dispozitat ligjore në fuqi (Ligji për të huaj)”, thuhet në komunikatën e MPB-së.

Javën e kaluar, Kuvendi Komunal i Skenderajt, nisur nga një peticion i nënshkruar nga 6 mijë qytetarë të këtij vendi, mori një vendim për mbylljen e përkohshme të xhamisë dhe largimin e z. Duka.

Xhamia në Marinë ishte e vetmja në Kosovë që nuk ishte nën juridiksionin e Bashkësisë Islame, ngjashëm sikur që Duka ushtroi funksionin e imamit pa bekimin e Bashkësisë. Kastriot Duka në Marinë ka drejtuar edhe shoqatën humanitare “Rahma/Mercy”.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka njoftuar se në Skenderaj, sot është mbajtur një protestë, në shenjë të shprehjes së pakënaqësive për vendimin e mbylljes së përkohshme të xhamisë në fshatin Marinë.

Sipas policisë, në protestën që ka zgjatur rreth 30 minuta, kanë marrë pjesë rreth 100 persona. Protesta ka përfunduar e qetë.