Sejdiu: Kosova bashkëpunon vetëm si e barabartë

  • Augustin Palokaj

Presidenti Fatmir Sejdiu

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, është takuar në Bruksel me ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s. Siguria në vend, e në veçanti në pjesën veriore, si dhe bashkëpunimi mes Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe KFOR-it, ishin në qendër të takimit. Sejdiu i ka cilësuar si të panevojshme, por të tejkaluara, mosmarrëveshjet me komandantin e KFOR-it.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka pasur drekë pune me ambasadorët e vendeve të NATO-s, që e kanë njohur Kosovën, përfshirë dhe ambasadorin e Greqisë.

Në takim nuk kanë qenë të pranishëm përfaqësuesit e tre shteteve anëtare që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, përkatësisht të Spanjës, Sllovakisë dhe Rumanisë.

Pas takimit, Sejdiu tha se është diskutuar për gjendjen e sigurisë, bashkëpunimin mes Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe NATO-s si dhe për gjendjen në veri të vendit.

I pyetur rreth mospajtimeve të pak kohëve më parë mes FSK-së dhe KFOR-it, presidenti i Kosovës i ka cilësuar ato si “të panevojshme, por të tejkaluara”.

I pyetur rreth bashkëpunimit rajonal dhe pranisë së Prishtinës në takimet rajonale, Sejdiu ka përsëritur gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim.

Kosova është e gatshme të marrë pjesë në të gjitha takimet rajonale, ku trajtohet në mënyrë të barabartë me vendet e tjera. Kjo vlen dhe për takimin që do të mbahet në fundjavë në Slloveni, deklaroi në Bruksel presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.