Bërdo: Bashkëpunimi nuk ka alternativë

  • Augustin Palokaj

Kranji

Përfaqësuesit politikë të vendeve të Ballkanit ranë dakord që të bashkëpunojnë më shumë në të ardhmen për të ndihmuar njëri-tjetrin në rrugën drejt integrimeve evropiane. Në samitin në Slloveni u tha se nuk ka alternativë bashkëpunimi për paqen dhe stabilitetin në rajon. Kryeministri Thaçi theksoi se Kosova është për dialog, jo për bojkot.

Liderët e vendeve të Ballkanit perëndimor porositën Bashkimin Evropian që ta mbajë si prioritet të lartë procesin e zgjerimit të BE-së, ndërsa mes vete u morën vesh që të bashkëpunojnë më shumë për të shpejtuar rrugën e integrimeve evropiane.

Ky është rezultati kryesor i takimit të parë të përfaqësuesve politikë të rajonit të Ballkanit që është zhvilluar në Bërdo afër Kranjit, i bashkë-organizuar nga kryeministri i Sllovenisë, Borud Pahor, dhe homologia e tij kroate, Jadranka Kosor.

Duke e përmendur mënyrën se si Sllovenia dhe Kroacia kanë zgjidhur problemin bilateral, të dy këta kryeministra porositën liderët e rajonit të kenë më shumë guxim në marrjen e veprimeve politike.

Ndonëse nuk u përmend me emër, kjo porosi iu dha edhe presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, i cili kishte refuzuar të vinte në takim pasi nuk ishte plotësuar kërkesa e Serbisë për mënyrën se si të ftohej Kosova.

Sa i përket Kosovës, pjesëmarrësit thanë se Kosova është një fakt, ajo ekziston në rajon dhe nuk mund të tejkalohet. Prandaj, porositën që edhe Bashkimi Evropian të merret me këtë çështje dhe të sqarojë mënyrën e pjesëmarrjes së Kosovës dhe Serbisë në takime të tilla.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Kosova është për dialog, për bashkëpunim në rajon dhe kundër bojkotit.

Duke folur për bojkotin që ka bërë presidenti i Serbisë, Tadiq, Thaçi tha se Serbia duhet të jetë më familjare dhe të mësohet me pjesëmarrjen e Kosovës në takime të tilla, sepse “sa më shumë që i zgjatë Serbisë mos-mësimi me këtë, aq më tepër do të zgjasë bojkoti dhe Serbia me këtë nuk i ka ndihmuar vetes”.

Në të njëjtën kohë, liderët e vendeve të Ballkanit perëndimor dhanë disa propozime konkrete për bashkëpunim mes tyre për t’i ndihmuar njëri-tjetrit.

Kështu, Kroacia ua dorëzoi vendeve tjera të rajonit një komplet të përkthimeve të ligjeve të Bashkimit Evropian në gjuhën kroate, një punë që ka rreth 100 mijë faqe të përkthyera dhe që ka kushtuar rreth 8 milionë euro.

Kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor, po ashtu, tha se ka një CD edhe për Boris Tadiqin dhe për Serbinë.

Në këtë samit u tha që në të ardhmen do të ketë edhe takime të tjera në nivele të ndryshme, përfshirë edhe nivelet ministrore.