Steinberg: Qëndrimi ynë për Kosovën nuk do të ndryshojë


Qëndrimi amerikan mbi statusin e Kosovës nuk do të ndryshojë, dhe nuk duhet të ketë paqartësi lidhur me qëndrimin amerikan se Kosova është e pavarur dhe sovrane, ka thënë zëvendës sekretari i Shtetit, Xhejms Steinberg.

Ai i ka bërë këto komente në një takim me delegacionin e Kosovës në Nju Jork, njoftoi zyra e presidencës në Prishtinë

Steinberg ka vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe bisedimeve për çështje praktike mes Kosovës e Serbisë, si dhe ka siguruar delegacionin e Kosovës se SHBA po vazhdon ndikimin e saj te shumë vende për të shtuar numrin e njohjeve të Republikës së Kosovës.

Delegacioni kosovar përbëhej nga presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni,

Sejdiu ka thënë se Kosova është e përkushtuar për miqësi të përhershme me SHBA, dhe se e ka çmuar lartë angazhimin e administratës amerikane për Kosovën.