Rusi: Dëmshpërblehet Irani për anulimin e blerjes së raketave

Zyrtari i lartë i Teknologjive Ruse, Sergei Çemezov, tha sot se Moska planifikon ta dëmshpërblejë Iranin për anulimin e marrëveshjes për raketat S-300.

Presidenti rus, Dmitri Medvedev, muajin e kaluar, e kishte ndalur dërgimin e raketave me precizitet të lartë në Iran, duke thënë se ky furnizim do të ishte shkelje e sanksioneve të miratuara nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Zoti Çemezov tha se Rusia planifikon ta dëmshpërblejë Iranin, për disa pagesa që i ka bërë, por me gjasë, parat do të kthehen aty kah fundi i vitit.

Ai ka refuzuar të paraqesë detaje të tjera.

Irani ishte kërcënuar për ta paditur Rusinë lidhur me, siç thotë Teherani, shkelje të kontratës.