Thirrje për ndërmjetësim ndërkombëtar

Kuvendi i Maqedonisë

Pas disa përpjekjeve të pasuksesshme për të ndërtuar një konsensus të gjerë për çështjen e emrit, partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, ka hedhur idenë për angazhimin e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, për të ndihmuar partitë politike që t’i kapërcejnë dallimet dhe të dalin me një strategji të përbashkët shtetërore për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë.

“Është vërejtur se nuk ekziston vullnet i mirë nga të dyja palët kontestuese ose, më saktë, nuk ka mundësi të gjendet së shpejti një kompromis mes Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen e emrit”.

“Si rrjedhojë, detyrimisht nevojitet një lehtësues i jashtëm, i cili do të mund të imponojë një agjendë të ngjeshur, që do të çonte kah arritja e një kompromisi dhe debllokomi i procesit të integrimit të Maqedonisë në strukturat euro-atlantike”, ka thënë Tahir Hani, koordinator i Grupit Parlamentar të BDI-së.

VMRO-DPMNE e kryeministrit Nikolla Gruevski nuk ka parapëlqyer të komentojë ofertën e partnerit të saj shqiptar në qeveri, ndërsa Lidhja Social-Demokrate ka vlerësuar se kryeministri i Maqedonisë maksimalisht do ta zvarrisë zgjidhjen e kontestit me Greqinë, gjersa të shpallen rezultatet e gjykimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Ish-kryeministri Vllado Buçkovski, aktualisht deputet i partisë maqedonase në opozitë, ka thënë se partnerët e koalicionit nuk kanë qasje të sinqertë sa i përket arritjes së një zgjidhjeje për çështjen e emrit.

“Meqë VMRO-DPMNE dhe BDI që në 15 ditët e para të qeverisjes së përbashkët nuk arritën ujdi se si ta zgjidhin problemin që ka Maqedonia me Greqinë për çështjen e emrit, unë nuk mendoj se do ta bëjnë këtë tani, më saktë në 15 muajt e fundit të mandatit të tyre", është shprehur Buçkovski nga LSDM-ja.

Flora Kadriu, deputete e partisë shqiptare në opozitë - Demokracia e Re, ka thënë se me këtë propozim, BDI-ja më shumë tenton të ndihmojë vetveten, përkatësisht të përforcojë pozitën e saj në koalicionin qeverisës, sesa të ndihmojë procesin e zgjidhjes së kontestit me Greqinë.

“Tanimë një kohë të gjatë, është e qartë se BDI-ja, sa i përket çështjes së emrit, ka një pozicion indiferent brenda qeverisë. Fatkeqësisht, dominante është VMRO-DPMNE dhe ideologjia e saj”.

“Në pamundësi që të përfitojë BDI-ja sadopak hapësirë në drejtim të të qenët shtytëse e procesit, imponon nevojën e ndërmjetësimit të faktorit ndërkombëtar për arritjen e një konsensusi të gjerë politik rreth kontestit të emrit me Greqinë”, ka thënë Kadriu.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe analistët politikë kanë sugjeruar në vazhdimësi autoritetet udhëheqëse të shtetit se arritja e një konsensusi të përbashkët mes partive politike, dukshëm do të lehtësonte procesin e negociatave për çështjen e emrit me Greqinë.

Lexoni edhe këto:
Pa konsensus për emrin
Shkup: Diplomacia akuzohet për dështim