FT: Lindja e Mesme rrezikon botën

Protestat në Egjipt kundër sundimit të presidentit Hosni Mubarak.

"Financial Times"

Trazirat në Tunizi dhe në Egjipt kanë pasoja të mëdha ekonomike e financiare. Rreth dy të tretat e burimeve botërore të naftës dhe thuajse gjysma e rezervave të gazit gjenden në Lindjen e Mesme.

Rreziqet gjeopolitike në rajon janë burim i rritjes së ndjeshme të çmimeve të naftës e gazit në tregun global. Tre nga pesë recesionet globale në të shkuarën kanë pasuar tronditjet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, të cilat janë shoqëruar me rritjen e konsiderueshme të çmimit të naftës e gazit.

Edhe në recesionin e fundit, çmimi i karburanteve u rrit ndjeshëm. Recesioni i fundit që kaploi SHBA-të në 2007-ën, por u ndje nga pjesa tjetër e botës vetëm në 2009-ën, nuk u shkaktua vetëm nga rrënimi i bankës Lehman’s Brother.

Në verën e vitit 2008, çmimi i naftës u dyfishua krahasuar me një vit më parë, duke arritur vlerën e 148 dollarëve për fuçi.

Ende nuk e dimë se cilat do të jenë pasojat e krizës së fundit politike në Lindjen e Mesme. Ekziston rreziku se sulmet ndaj autokracive në Lindjen e Mesme nuk do të çojnë vendosjen e demokracive të qëndrueshme.

Duke thënë këtë ia vlen të nënvizohet se askush nuk ka simpati për udhëheqësit e njohur për korrupsion, shtypje të popullsisë, shkaktarë të varfërisë e papunësisë.

Ndonëse mund të shprespojmë se regjimet autoritare në Tunizi e Egjipt do të zëvendësohen me qeveri demokratike, përvojat e fundit me të ashtuquajturat zgjedhje të lira dhe demokratike në Lindjen e Mesme, kanë qenë zhgënjyese. Kujtojmë këtu fitoren e Hamasit në Gaza apo të Hezbollahut në Liban.

Por, ky nuk është rreziku i vetëm. Në lojë janë dhe një përballje e mundshme ushtarake mes Izraelit dhe Iranit, çështja e shumimit të armëve të shkatërrimit në masë, konflikti i pazgjidhur izraelito-palestinez dhe pakicat e pakënaqura shiite në Bharein, në Arabinë Saudite e Jemen, ku sundojnë regjimet sunite.

Edhe para tronditjeve të fundit politike në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës arriti në 90 dollarë për fuçi, por aktualisht një fuçi naftë në tregun botëror shitet me 100 dollarë.

Rritja e çmimit të naftës së bashku me rritjen e çmimeve të ushqimeve shkaktojnë rritjen e inflacionit në ekonomitë në zhvillim, ku nafta dhe ushqimet marrin dy të tretat e shportës bazë.

Kemi shpresën se ngjarjet në Tunizi dhe në Egjipt do të çojnë drejt një tranzicioni të qetë dhe në vendosjen e demokracive.

Megjithatë, askush nuk mund të përjashtojë rrezikun e përfundimeve që kanë të bëjnë me sisteme radikale apo të qëndrueshme.

Faktorët politikë së bashku me rritjen e çmimit të energjisë paraqesin rrezik serioz për ekonominë globale, e cila vetëm sa po rimëkëmbej ngadalë nga recesioni i fundit. (i.b.)