Përleshje mes protestuesve dhe forcave greke

Forcat speciale greke kanë përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit e tubuar para ndërtesës së parlamentit. Rreth 30 mijë persona kanë protestuar kundër masave të kursimit, të ndërmarra nga qeveria për shpëtimin e vendit nga falimentimi.

Linjat urbane, hekurudhore dhe detare kanë ndërprerë operimin ashtu si edhe fluturimet ndërkombëtare nga Athina dhe drejt saj. Greva po ashtu ka ndikuar në funksionimin e spitaleve dhe shkollave, ndërsa zyrat e administratës publike dhe bankat janë mbyllur.

Kjo është greva më e madhe gjatë këtij viti kundër masave të qeverisë socialiste për të shkurtuar rrogat dhe pensionet në këmbim të pakos së ndihmës nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.