Vazhdojnë trazirat në Siri

Një grua është vrarë ndërsa pesë persona të tjerë u lënduan pasi forcat siriane gjuajtën me armë zjarri në drejtim të një grupi njerëzish që tentonin të kalonin nga Siria për në Liban, për t’i ikur dhunës që e ka përfshirë Sirinë muajve të fundit.

Një pjesëtar i forcave të sigurisë së Libanit ka thënë se forcat siriane gjuajtën me plumba turmën e njerëzve në pikën e kalimit kufitar në afërsi të qytezës libaneze, Uadi Kaled.

Një ushtar i Libanit është në mesin e të lënduarve.

Mijëra persona janë larguar nga pjesa perëndimore e Sirisë duke shkuar drejt Libanit, gjatë javëve të fundit, derisa forcat qeveritare siriane po shtypin demonstratat anti-qeveritare.

Grupet për të drejtat e njeriut thonë se më shumë se 775 njerëz janë vrarë në Siri që prej fillimit të protestave kundër regjimit të Presidentit, Bashar Al Asad, në muajin mars.