Obama: Bisedimet në Lindjen e Mesme, më jetike se kurrë

Presidenti amerikan Barak Obama tërhoqi vërejtjen se trazirat politike në Lindjen e Mesme e kanë bërë më jetik rifillimin e negociatave mes Izraelit dhe palestinezëve.

Gjatë një takimi në Uashington me mbretin Abdullah II të Jordanisë, ai tha se bisedimet e ngrira duhët të rinisin.

Obama tha se izraelitët dhe palestinezët duhet të fillojnë diskutimin, i cili do të përfundotne me krijimin e dy shteteve që jetojnë në paqe.

“Pavarësisht shumë ndryshimeve, që kanë ndodhur në rajon, është më jetike se kurdoherë, që edhe izraelitët edhe palestinezët të gjejnë një mënyrë për t'iu kthyer tavolinës dhe të nisin procesin negociator, pas të cilit mund t’i krijojnë dy shtete dhe të jetojnë pranë njëri-tjetrit në paqe dhe siguri”, tha Obama.

Negociatat janë ngrirë që nga viti i kaluar, për shkak të mospajtimeve për vendbanimet hebreje.

Kulmi erdhi me dorëheqjen e të dërguarit të Obamës në Lindjen e Mesme, Xhorxh Miçell.