Gejts flet për veprimet amerikane në Jemen, Irak dhe Libi

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Robert Gejts, u shpreh optimist për zhvillimet në Jemen, ku qeveria dhe klanet opozitare janë përfshirë në përleshje të armatosura që e çuan vendin në luftë civile.

Në një intervistë për agjencinë AP, Gejts tha se situata është qetësuar pak qëkur presidenti, Ali Abdullah Saleh, u largua për trajtim mjekësor në Arabinë Saudite më 5 qershor.

“Me të qenit e Salehit në Arabinë Saudite, ndoshta do të mund të bëhet diçka për ta përfunduar këtë” duke gjetur një zgjidhje në mes të familjes së Salehit, klaneve opozitare dhe ushtrisë.

Lidhur me Afganistanin, Gejts tha se amerikanët duhet të jenë sigurt se Shtëpia e Bardhë është duke e bërë një rishikim “të thellë” të situatës si pjesë të vendimit të ardhshëm të Barak Obamës për tërheqjen e një numri të trupave amerikane në korrik.

Ai tha gjithashtu se pret që qeveria irakiane të kërkojë mbetjen e trupave amerikane në Irak përtej këtij viti.

Gejts, i cili fillimisht kundërshtoi ndërhyrjen amerikane në Libi, u shpreh i bindur në rënien e Moamer Gadafit.