Zhytësit panë mbi 100 trupa në anijen e fundosur

Zhytësit që po kërkojnë mbetjet e anijes në lumin Vollga të Rusisë, thanë se kanë parë më shumë se 100 trupa të bllokuar brenda anijes turistike, nga e cila nxorën sot në mëngjes tetë trupa.

Rreth 30 fëmijë, janë në mesin e atyre që dyshohet se janë bllokuar brenda anijes, në kohën kur ajo u fundos.

Të mbijetuarit thonë se fëmijët ishin mbledhur të luajnë në një dhomë të anijes, disa minuta para se ajo të fundosej.

Tetëdhjetë njerëz janë shpëtuar, pasi që kishin qëndruar më shumë se një orë në ujë. Ata janë hedhur nga anija, e cila u fundos të dielën.

Shkaktari i fundosjes është ende duke u hetuar.

Koha e keqe, dështimi mekanik dhe vjetërsia e anijes, por edhe mbingarkesa janë cituar si arsye të mundshme të fundosjes së anijes.