Hetimi ndaj Estemirovës, në rrugë të gabuar

Grupet ruse për të drejtat e njeriut thanë se dëshmitë e ADN-së tregojnë se dy personat e akuzuar për vrasjen e koleges së tyre, nuk e kanë kryer krimin.

Natalia Estemirova, e cila mblidhte të dhëna për abuzimet me të drejtat e njeriut që bënin forcat e sigurisë në Çeçeni, qe rrëmbyer më 15 korrik të vitit 2009 në Grozni.
Trupi i saj, i qëlluar disa herë, është gjetur në provincën fqinje.

Hetuesit rusë thanë se dy vëllezër, që i përkisnin një grupi militant islamik e kishin vrarë Estemirovën.

Njëri vëlla qe vrarë nga forcat e sigurisë. Tjetri, Anzor Bashajev, pat ikur në Francë, ku i ishte dhënë azil politik.

Grupi “Memorial” tha se nga ADN-ja e Anzor Bashajevit është parë se as mostra e tij e as e vëllait të tij, nuk përputhen me djersën e gjetur në rrobat e Estemirovës.

Lideri i “Memorial” Oleg Orlov përsëriti se lideri i Çeçenisë Ramzan Kadirov duhet të mbahet përgjegjës për vrasjen e Estemirovës.

Orlov tha se hetimet zyrtare kanë “marrë drejtimin e gabuar”.

Ndërkohë, disa organizata për të drejtat e njeriut, përfshirë Amnesty International dhe Human Rights Watch kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, ku thonë se autoritetet kanë dështuar, që të hetojnë në mënyrë të duhur vrasjen.