Akuzohet uzbeku që kërcënonte me vrasjen e Obamës

Juria federale e Birminghamit ka akuzuar uzbekun Ulugbek Kodirov për shkak se ka kërcënuar me vrasjen e presidentit Barak Obama, si dhe për posedim të paligjshëm armësh.

Kodirov ngarkohet me katër aktakuza për kërcënim të kreut amerikan në katër raste të ndara.

Deklarata nuk dha detaje rreth kërcënimeve të dyshuara. E njëjta bëri të ditur se Kodirov u arrestua më 13 korrik në një motel të Alabamas, pas blerjes së armëve nga një agjent i fshehtë, i cili punonte për autoritetet amerikane.

Ai pritet të përballet me dënimin maksimal prej pesë vjetësh heqje lirie për secilën aktakuzë të kërcënimit të Obamës, si dhe 10 vjet të tjera për secilën aktakuzë të armëve.

Zyrtarët amerikanë thonë se Kodirov po jetonte në Shtetet e Bashkuara ilegalisht, pasi viza e tij studentore kishte skaduar në prill të 2010-ës.