Medvedev: Putin të jetë presidenti i radhës

Presidenti rus, Dimitri Medvedev, tha se presidenti i ardhshëm i Rusisë duhej të ishte Vlladimir Putin.

Këto komente ai i bëri në kohën kur partia në pushtet, Rusia e Bashkuar, po mban kongresin vjetor në Moskë.

“Mendoj se do të ishte korrekte që kongresi të mbështes kandidimin e liderit të partisë, Vlladimir Putin, për postin e presidentit të shtetit”, tha Medvedev.

Ditë më parë, kreu i ekzeutivit rus Putin tha se Medvedev do të ishte në krye të listës elektorale të partisë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që pritet të mbahen më 4 dhjetor.

Putin i tha gjithashtu kongresit se është pajtuar me Medvedevin për rolet e ardhshme të tyre në politikë.

Që të dytë- 58 vjeçari Putin dhe 46 vjeçari Medvedev, patën paralëjmëruar më parë se mund të garojnë për postin e presidentit në zgjedhjet presidenciale të marsit. Mirëpo, më pak se gjashtë muaj para mbajtjes së presidencialeve, asnjëri nga ata nuk ka paraqitur zyrtarisht kandidaturën për këtë post.