Shpërthim në veri të Kosovës

Rreth tridhjetë minuta pas mesnatës është regjistruar një shpërthim, në një parking të një ndërtese në veri të Mitrovicës, njoftoi policia rajonale e Mitrovicës.

Sipas njoftimit, tri automjete kanë pësuar dëme materiale gjatë incidentit.

“Ekzaminimi i vendit të ngjarjes është duke u proceduar nga njësitë përkatëse hetimore të stacionit veri, teknikëve të kriminalistikës dhe njësisë së specializuar për identifikim të mjeteve eksploduese nga radhët e KFOR-it. Hetuesit policorë janë në pritje të raportit ekzaminues të ekspertëve të KFOR-it, për të përcaktuar llojin e mjetit shpërthyes të përdorur në këtë akt kriminal”, thuhet në njoftimin e policisë.

Bëhet e ditur gjithashtu se tashmë kanë filluar edhe hetimet për të zbuluar shkaqet, motivet dhe të dyshuarit e mundshëm të këtij akti kriminal.

Dyshohet se cak i këtij sulmi të ketë qenë automjeti “Audi80” pa targa të regjistrimit, pronë e një qytetari të përkatësisë etnike serbe, i punësuar si staf lokal në EULEX, ndërsa dy automjetet tjera të parkuara afër vendit të ngjarjes, një “Reno clio” dhe “Ford escape”, kanë pësuar dëme më të vogla materiale.