Lëvizja FOL: “Shkelje ligjore në 12 tenderë”

Lëvizja FOL, ka organizuar konferencë për shtyp me rastin e publikimit të raportit “Monitoruesi i Prokurimit”, për periudhën korrik-shtator 2011.

Koordinatori i projektit, Armend Pajaziti, prezantoi të gjeturat e këtij raporti. Ai tha se gjatë kësaj periudhe raportuese korrik-shtator “Qeveria e Kosovës ka bërë shkelje ligjore në 12 tenderë të ndryshëm”.

“Është për t’u shqetësuar fakti që gjatë kësaj periudhe komunat kanë bërë shkelje ligjore në 12 tenderë të ndryshëm, gjë që përbën numër më të madh të shkeljeve në krahasim me shkeljet që komunat kanë bërë në periudhën paraprake,” tha Pajaziti.

Sipas tij, “trendi i keqpërdorimeve dhe shkeljeve ligjore ka vazhduar edhe në ndërmarrjet publike PTK dhe KEK, gjë që tregon se këto ndërmarrje nuk kanë treguar vullnet që të parandalojnë keqpërdorimet dhe shkeljet që janë duke ndodhur në prokurimin e këtyre ndërmarrjeve”.

Ndërsa, menaxheri i programeve në Lëvizjen FOL, Fidan Kalaja, gjatë kësaj konference deklaroi se ligji i ri i prokurimit publik që u miratua në gusht nga qeveria e Kosovës “nuk përmban ndonjë ndryshim pozitiv sa i përket ngritjes së transparencës dhe llogaridhënies së procedurave të prokurimit”.