Misioni i OSBE-së në Kosovë dënon përdhosjen e varrezave hebraike

Udhëheqësi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Eduard Xhozef, nëpërmjet një komunikate për shtyp ka dënuar dëmtimin e varrezave hebraike në Prishtinë, duke bërë thirrje te autoritetet e rendit dhe ligjit që të hetojnë rreth këtij akti. Ai i ka bërë thirrje edhe komunës së Prishtinës që të merret me riparimin e dëmit të shkaktuar.

“Si organizatë udhëheqëse ndërkombëtare për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, OSBE dënon fuqishëm këtë akt të shëmtuar. Dëmtimi i varrezave të çfarëdo komuniteti është një fyerje e neveritshme dhe shenjë e urrejtjes. OSBE-ja promovon tolerancën, bashkëjetesën dhe respektin reciprok. Ne nuk do të hezitojmë të kërkojmë drejtësi në rastet kur këto norma rrezikohen”, ka thënë, ndër të tjera, Xhozef.

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mandat të promovojë mbrojtjen e drejtave të njeriut, ndërtimin e demokracisë, si dhe zhvillimin e sigurisë publike.

Varrezat hebraike në lagjen Velania në Prishtinë janë përdhosur tri ditë më parë nga persona të panjohur, të cilët mbi varre kishin shënuar simbole naziste.