Klinton flet me Pakistanin për sulmet e NATO-s

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton ka biseduar me kryeministrin pakistanez, Jusaf Raza Gillani, lidhur me sulmet e fundit ajrore të NATO-s, qe lanë të vrarë 24 ushtarë pakistanezë.

Sipas Klinton, departamenti amerikan i shtetit ka ofruar ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e jetëve, gjë që ka shkaktuar tërbim në Pakistan.

Telefonata e sekretares Klinton vjen dy ditë para një konference ndërkombëtare në Gjermani lidhur me të ardhmen e Afganistanit. Pakistani planifikon ta bojkotojë këtë konferencë, për shkak të sulmeve ajrore të para disa ditëve.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO kanë premtuar se do të hetojnë lidhur me incidentin, por Uashingtoni thotë se është shumë herët për të konsideruar kërkim falje ndaj Pakistanit.