Çeki: Ratifikohet marrëveshja për largimin e emigrantëve të paligjshëm kosovarë

Senati çek e ka ratifikuar marrëveshjen në mes të dyja vendeve, Kosovë-Çeki, lidhur me largimin e emigrantëve të paligjshëm nga Republika e Çekisë, për në shtëpitë e tyre.

Marrëveshja besohet të ndikojë në largimin e problemeve në komunikimin ndërmjet autoriteteve kosovare dhe çeke, në identifikimin e personave dhe dërgimin e tyre në shtëpi.

Marrëveshja pritet që të nënshkruhet nga presidenti Vasllav Kllaus, në mënyrë që të hyjë në fuqi. Kjo mund te jetë çështje problematike, pasi që Kllaus nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Qeveria çeke e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, por Kllaus gjithmonë e ka kundërshtuar një gjë të tillë.

Policia çeke, vitin e kaluar arrestoi 16 qytetarë kosovarë, të cilët po qëndronin në mënyrë të paligjshme në Çeki. Në vitin 2009, katër njerëz nga Kosova ishin ndaluar pikërisht për këtë arsye.