Një fuçi naftë mbi 113 dollarë

Çmimi i një fuçie naftë ka kaluar sot vlerën e 113 dollarëve, për shkak të tensioneve në lidhje me programin bërthamor të Iranit, trazirave në Nigeri dhe situatës ekonomike në Evropë.

Irani ka nisur të pasurojë uraniumin për 20 për qind, çfarë ka shtuar zemërimin e vendeve perëndimore.

Ai po ashtu ka kërcënuar se do të mbyllë ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon 40 për qind e trafikut botëror të naftës.

Një fuçi naftë sot shitet për 113.28 dollarë, përderisa fuçia e naftës së papërpunuar në SHBA kushton 102.70 dollarë.

Irani prodhon 3.5 milionë fuçi të naftës së papërpunuar në ditë, duke marrë vendin e dytë në Organizatën e Vendeve Eksportuese të Naftës, pas Arabisë Saudite. BE-ja importon gjysmë milioni fuçi naftë çdo ditë nga Irani.