Trazira pas futbollit, 74 të vrarë

Televizioni shtetëror i Egjiptit ka raportuar për të paktën 74 të vrarë dhe rreth 1,000 të tjerë të plagosur, gjatë përleshjeve që pasuan një ndeshje futbolli në qytetin Port Said. Disa nga të vrarët besohet të jenë zyrtarë të sigurisë.

Dhuna shpërtheu pak sekonda pasi al-Masri, ekipi i Port Saidit, arriti fitore 3-1 ndaj al-Ahlit, një nga klubet më të suksesshme të Egjiptit.

Pamjet televizive treguan tifozët që vraponin në fushë, në përpjekje për të kapur lojtarët dhe mbështetësit e al-Ahlit.

Në Kajro, tifozët e zemëruar u kanë vënë zjarrin disa pjesëve të stadiumit të qytetit, pasi zyrtarët kanë anuluar ndeshjen që pasoi trazirat në Port Said.

Federata e Futbollit të Egjiptit ka shtyrë pa afat ndeshjet e premier ligës.