Afro 100% e serbëve i thonë “jo” Prishtinës

Në fshatin Grabovc, 14 shkurt 2012.

Në veri të Kosovës ka përfunduar referendumi i organizuar nga serbët lokalë. Sipas rezultateve preliminare, 99.74 për qind e qytetarëve serbë u kanë thënë “jo” institucioneve të Prishtinës në pjesën veriore të vendit, raportojnë mediat serbe.

Shtrirjen e autoritetit të Kosovës në veri të lumit Ibër thuhet ta kenë përkrahur 69 votues, përkatësisht 0.26 për qind e tyre.

Në 82 vendvotime raportohet të kenë votuar 75.28 për qind e qytetarëve, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të bëhen publike të dielën.

Me organizimin e referendumit në Mitrovicë, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, serbët lokalë kanë thënë se duan të qartësojnë “vullnetin e komunitetit të tyre për lejimin apo moslejimin e shtrirjes së autoritetit shtetëror të Kosovës në veri të vendit”.

Ky organizim është kundërshtuar si nga autoritetet kosovare, ashtu edhe ato ndërkombëtare. Një ditë më parë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar deklaratën që e shpall të paligjshëm dhe jokushtetues referendumin e ashtuquajtur të veriut.

Megjithatë, serbët lokalë kanë shfaqur shpresën se komuniteti ndërkombëtar do të respektojë qëndrimin e tyre.

“Ky referendum, ashtu siç thuhet edhe në Beograd, nuk do të ketë pasoja ligjore, sepse ne po deklarohemi për atë që shkruan në Kushtetutën e Serbisë dhe ajo është: Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë. Presim që pas referendumit të ketë më pak presion të bashkësisë ndërkombëtare në veri”, ka thënë për mediat serbe kryetari ilegjitim i Mitrovicës, Kërstimir Pantiq.

Kundër referendumit është shprehur zyrtarisht edhe Qeveria e Serbisë. Ajo u ka bërë disa herë thirrje përfaqësuesve serbë të veriut që të heqin dorë nga ky organizim.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka thënë se referendumi është i dëmshëm kur janë në pyetje interesat e shtetit serb. Sipas tij, ai nuk i kontribuon as dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Megjithatë, analistët kosovarë kanë shprehur bindjen se referendumi i veriut e gëzon mbështetjen e plotë të ekzekutivit të Serbisë.

Kjo e fundit kërkon marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por Brukseli i ka vënë kusht normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Referendumi në Mitrovicë, Zveçan dhe Zubin Potok, është zhvilluar të martën dhe të mërkurën, ndërsa, për dallim prej tyre, në Leposaviq është votuar vetëm një ditë.