Sarkozi uron Kosovën

Nikolas Sarkozi

Presidenti i Republikës së Francës, Nikolas Sarkozy, i ka dërguar një telegram urimi Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga, me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës.

“Kosova feston sot ditëlindjen e katërt të pavarësisë së saj. Dëshiroj që në këtë ditë të veçantë t’ju adresoj, në emrin tim dhe në emrin e popullit francez, urimet e mia.
Viti 2011 është shënuar me nisjen e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, nën mbikëqyrjen e Unionit Evropian. Unë gëzohem për këto rezultate të para, të dobishme për popujt, dhe qasjen konstruktive të adoptuar nga autoritetet kosovare”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e urimit të presidentit francez.

“Është mirë të ruhet kjo dinamikë pozitive dhe të mos lejohen zërat e tërheqjes në vetvete që po dalin nga të dy anët në një kontekst ekonomik dhe social të vështirë. Unë llogaris në angazhimin tuaj dhe në guximin politik për të mbështetur me gjithë peshën tuaj vazhdimin e dialogut dhe gjetjen e kompromiseve të nevojshme për pajtimin rajonal dhe për afrimin evropian të të dy vendeve. Kjo është për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe stabilitetit të tërë Ballkanit”, ka thënë në mesazhin për populin kosovar, presidenti Sarkozi.

“Lajmi për mbylljen e ardhshme Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe rikonfigurimi i mundshëm i misionit të EULEX-it theksojnë qëllimin e Kosovës që të bëhet një shtet “normal”, pa mbikëqyrje ndërkombëtare. Këto janë hapa pozitivë që mbështesin aspiratën tuaj për ushtrimin e një sovraniteti të plotë dhe të cilën neve e mbështesim fuqishëm. Kosova mund të llogarisë në mbështetjen e Francës dhe Unionit Evropian për këtë detyrë”,m shrkuan më tej presidenti Sarkozi.

Ai ka vënë në pah se para Kosovës mbeten shumë sfida si vendosja e një situate financiare të shëndoshë, krijimi i bazave për një zhvillim ekonomik e të qëndrueshëm, konsolidimi i të arriturave të Planit Ahtisari, nisja e një strategjie të besueshme e integrimit paqësor për veriun e Kosovës, luftimi në mënyrë më të determinuar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe udhëheqja e reformës zgjedhore.

“Jam në dijeni për veprimin tuaj të vendosur për të dërguar Kosovën në komunitetin ndërkombëtar dhe për ta bërë një shtet modern. Unë e vlerësoj vullnetin tuaj për të vepruar për bashkimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës, çfarëdo qoftë origjina e tyre etnike ose përkatësia fetare. Jeni e sigurt se Franca do të qëndrojë pranë jush për t’ju ndihmuar në realizimin e këtyre ambicieve fisnike”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e presidentit Sarkozi.