Reduktohet EULEX-i

Policë të EULEX-it

Bashkimi Evropian tha se do të reduktojë për një të tretën misionin policor dhe të drejtësisë, duke theksuar përmirësimet në fushën e sigurisë.

Komandanti për Operacione Civile të BE-së, Hansjoerg Haber, ka thënë se rezultatet nga Rishikimi Strategjik për EULEX-in, do të çojnë drejt një misioni ‘më të fuqishëm, më të sigurtë dhe më efikas’.

Ai i ka bërë këto komente gjatë një vizite në Kosovë, me ç’rast i është drejtuar stafit të EULEX-it dhe po ashtu ka informuar autoritetet e Kosovës për detajet e Rishikimit, i cili pritet të përfundojë së shpejti, thuhet në një komunikatë për media të EULEX-it.

“Tashmë dihet se EULEX-i do të ketë një konfigurim përmbajtjesor. Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dëshirojnë të vazhdojnë mandatin edhe për dy vjet. Do të ketë zvogëlim të numrit të stafit ndërkombëtar dhe atij vendor, veçanërisht në fushën e policisë dhe të doganës. Puna do të koncentrohet në fushën e drejtësisë, veçanërisht përmes mandatit ekzekutiv të EULEX-it. Pritet që të ketë edhe burime shtesë të cilat do të vendosen në pjesën veriore të Kosovës”, citohet të ketë thënë Haber.

“EULEX-i ka bërë një punë të shkëlqyer. Porse, ndërrimi i rrethanave nënkupton edhe ndërrimin e prioriteteve. Institucionet e Kosovës kanë arritur një progres të rëndësishëm disa fusha të sundimit të ligjit, prandaj misioni i EULEX-it duhet të reflektojë në pajtim me këtë progres. EULEX-i do të rifokusojë prioritetet e veta, do të rikonfigurohet dhe do të bëhet më i fuqishëm, më i sigurt dhe më efikas,” tha Haber.

Shefi i Misionit EULEX, Ksavier de Marnak, e falënderoi z. Haber për mbështetjen e tij për misionin dhe lavdëroi autoritetet vendore për punën e tyre.

“Progres i mirëfilltë është arritur nga institucionet e Kosovës. Ky realitet i ri duhet të pranohet. Mirëpo ende mbeten sfida, veçanërisht në fushën e gjyqësorit. Ne do të dyfishojmë përpjekjet tona në këtë fushë dhe do të pajisemi më mirë për tu përballur me këto sfida,” tha de Marnak.

Ndërkaq, përfaqësuesi Special i BE-së dhe Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka cituar raportet Kosovë-BE.

“Janë disa procese paralele të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe BE në të cilat do të fokusohemi këtë vit: nga liberalizimi i vizave deri te studimi i fizibilitetit, dhe EULEX-i do të luaj një rol të rëndësishëm në këto procese”, citohet të ketë thënë Zhbogar.

Ndryshimet në EULEX thuhet se do të fillojnë të implementohen pas datës 14 qershor 2012, kur pritet të hyjë në fuqi mandati i ri.

Ndryshe, misioni i EULEX-it është vendosur në Kosovë në vitin 2008 dhe ndihmon në monitorimin dhe mbikqyrjen e policisë dhe drejtësisë.