Marsh kundër ndasive etnike



Në Shkup të shtunën u mbajt manifestimi "Marsh për paqe", në Parkun e qytetit, në organizim të Iniciativës Qytetare "Së bashku për paqe", për t’i thënë ndal dhunës dhe tensioneve ndëretnike.

Petrit Saraçini, një nga organizatorët, tha se marshi i së shtunës u përcoll edhe me një ngjarje muzikore, që u thotë jo incidenteve të dhunës, jo ndasive etnike.

“Qëllimi i këtij manifestimi që ngërthen një hepening muzikor dhe marsh, është për të treguar se në Maqedoni ka njerëz që nuk duan të jetojnë në këtë mënyrë. Nuk duam të shohim një shoqëri që kultivon ndasi etnike, nuk duam të shohim një shoqëri, e cila nuk ka diskurs pozitiv, por ka diskurs negativ tërë kohën. Ky marsh për paqe ka mbledhur të gjithë këta njerëz, pa marrë parasysh përkatësinë etnike ose përcaktimin politik, fetar ose çfarëdo. Jemi të gjithë këtu së bashku për të treguar se kemi një vullnet të mirë, se e duam njëri-tjetrin, se e respektojmë njëri-tjetrin”, tha Saraçini.

Në kuadër të marshit për paqe, ishin të pranishëm artistë dhe intelektualë, si dhe përfaqësues nga sektori joqeveritar dhe përfaqësues të partive politike.

Me ketë rast, Zharko Dimitriovski, një nga organizatorët, tha se të rinjtë e kanë kuptuar se në shekullin e globalizimit duhet t’i thuhet qartë dhe me vendosmëri ‘Ndal’ politikave që krijojnë ndasi dhe nxisin dhunë.

“Diçka duhet të bëjmë, le të jetë dhe ky marsh i paqes, edhe pse tingëllon si diçka që do të duhej t’i takonte së kaluarës, ngase më duhet të pranoj, jam i zhgënjyer nga realiteti i ditëve të fundit ku dhuna ishte e pranishme ndërmjet të rinjve. Është koha e fundit të vetëdijesohemi se ç’ndodh rreth nesh dhe ta fillojmë nga e para. Pra, duke parë vetveten dhe më pas ata që kemi pranë nesh në sy, thjesht ne duhet ta respektojmë veten dhe të tjerët, njëkohësisht”, u shpreh Dimitriovski.

Ndryshe, marshi u iniciua si rezultat i incidenteve të fundit, që ndodhën javën e kaluar.

Duke interpretuar himne të njohura paqësore botërore për manifesti, manifestet e këtij marshi u lexuan në disa gjuhë: "Jemi për paqe, mundemi dhe duam, të jetojmë njëri me tjetrin jo njëri pranë tjetrit", për të marshuar deri në Urën e Gurit, të kryeqendrës, që konsiderohet si simbol i ndasive, me këtë rast të bashkëjetesës mes dy etniteteve më të mëdha në Maqedoni - shqiptarëve dhe maqedonasve.