Dhunë në Kakukazin Verior

Ilustrim me pamje arkivore nga Dagestani

Dy policë janë sulmuar në qytetin Khasaviurt të Dagestanit nga persona të panjohur. Njëri ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetri pak më vonë në spitalin lokal.

Sulmuesit kanë hapur zjarr në drejtim të makinës së tyre, të cilën më pas e kanë vjedhur dhe janë larguar.

Në Ingushetinë fqinje, një polic ka qëlluar për vdekje dy militantë në qytetin Nazran.

Dagestani dhe Ingushetia janë zona të Kaukazit Verior. Ky i fundit, pjesë e Federatës Ruse, është skenë e përleshjeve të armatosura ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve islamikë.

Sulmi i fundit i madh, që është kryer nga rebelët e Kaukazit Verior, ka pasur në shënjestër Aeroportin Domodedovo të Moskës në janar të 2011-ës, ku 37 njerëz kanë humbur jetën.