Siria në ditën e tretë të armëpushimit

Damask, 13 prill 2012.

Armëpushimi i brishtë në Siri ka hyrë në ditën e tretë, ndërsa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të votojë rezolutën, e cila autorizon vendosjen e vëzhguesve në shtetin sirian, për të monitoruar zbatimin e planit për paqe.

Anëtarët e Këshillit janë takuar prapa dyerve të mbyllura për disa orë të premten për të diskutuar draftet e Shteteve të Bashkuara, të aleatëve të tyre evropianë dhe të Rusisë.

Ahmad Favzi, zëdhënës i të dërguarit ndërkombëtar për Sirinë, Kofi Anan, u ka thënë gazetarëve në Gjenevë se ekipi prej 10-12 vëzhguesish është duke qëndruar në gjendje gatishmërie.

Aktivistët thonë se forcat siriane të sigurisë kanë bombarduar dy bastione të rebelëve në qytetin Homs.

Protestat antiqeveritare dhe dhuna në Siri kanë nisur qysh në mars të vitit të kaluar. Kombet e Bashkuara thonë se mbi 9,000 persona, shumica nga ta civilë, kanë humbur jetën në trazira.