Lajçak pro kthimit të ambasadorëve në Minsk

Ministri i Punëve të Jashtme i Sllovakisë, Miroslav Lajçak

Ministri i Punëve të Jashtme i Sllovakisë, Miroslav Lajçak ka thënë se ambasadorët e Bashkimit Evropian duhet të kthehen në Bjellorusi brenda “ditësh”.

Lajçak, duke folur për mediat polake në Bruksel, e ka quajtur lirimin e ish kandidatit presidencial Andrej Sanikau dhe ndihmësit të tij, Zmitser Bandarenka, gjatë fundjavës si “një ngjarje të rëndësishme”, e cila ofron siç e ka quajtur “një hapje të lehtë dhe moment pozitiv”.

Por, Lajçak tha se lirimi ishte vetëm “një hap i parë në rrugën e gjatë”.

Mendohet se janë diku 10 të burgosur tjerë politikë që mbahen nga regjimi i presidentit Aleksandër Lukashenko dhe lirimi të cilëve kërkohet me ngulm nga Perëndimi, në mesin e tyre edhe kandidati tjetër presidencial në vitin 2010, Mikola Statkeviq.

Shtetet e BE-së, në muajin shkurt patën tërhequr ambasadorët e tyre nga Minski, si reagim ndaj dëbimit të ambasadorit polak dhe atij të BE-së nga Bjellorusia.