EULEX-i mohon të ketë lejuar vendosjen e kontejnerit serb

EULEX

EULEX-i dëshiron të hedhë poshtë spekulimet e medias më 31 maj, 2012, se ka lejuar vendosjen e një kontejneri të policisë serbe në pikën e kalimit të Jarinjës.

"EULEX-i nuk ka dijeni për ndonjë kontejner të policisë serbe, të vendosur pranë pikës së kalimit në Jarinjë dhe EULEX-i nuk i njeh strukturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, meqenëse ato nuk lejohen të operojnë në Kosovë në bazë të Rregullores së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244", thuhet në komunikatën e misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë.

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka vendosur ditë më parë një kontejner në territorin e Kosovës për, siç thuhet, nevoja të policisë paralele serbe. Sipas disa mediave në Prishtinë, vendosja e këtij objekti është lejuar edhe nga EULEX-i.