Irak: Miliona pelegrinë shiitë janë tubuar në Qerbela

Polici irakian i ruan pelegrinet shiite

Miliona pelegrinë shiitë janë tubuar sot në qytetin irakian Qerbela. Tubimi po bëhet nën masa të shtuara të sigurisë, pas një vargu të sulmeve, që për cak i kishin piligrinët shiitë.

Zyrtarët irakianë thonë se dhjetëra mijëra policë dhe disa helikopterë janë vendosur në Qerbela, për t’i parandaluar sulmet.

Vlerësohet se afro 6 milionë vizitorë irakianë dhe 150 mijë piligrinë të jashtëm, arrijnë në Qerbela për rituale, me të cilat shënohet lindja e Imamit Mehdi, që është figurë qendrore e Islamit shiit.

Pelegrinët shiitë shpeshherë janë caqe të kryengritësve sunitë të ndërlidhur me al-Kaidën, e veçanërisht gjatë festave religjioze.

Nga sulmet me bomba, muajin e kaluar, gjatë një pelegrinazhi tjetër shiit, janë vrarë më se 100 vetë.