Abas premton kthimin e çështjes palestineze në OKB

Lideri palestinez, Mahmud Abas

Presidenti palestinez Mahmud Abas tha se palestinezët do të rifillojnë përpjekjet për të fituar njohjen si shtet nga Kombet e Bashkuara, në qoftë se nuk ka bisedime për paqe me Izraelin.

Përpjekjet e ngjashme u lanë anash në vitin e kaluar, pasi palestinezët e kuptuan se nuk i kanë votat në Këshillin e Sigurimit.

Abas i tha një televizioni izraelit se ai nuk po jep ndonjë ultimatum, dhe shtoi se bisedimet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu varen nga lirimi i 123 palestinezëve, të cilët janë burgosur nga Izraeli para nënshkrimit të marrëveshjeve të paqes së vitit 1993 në Osllo.

Abas tha se refuzimi i Izraelit për të ndaluar ndërtimin e vendbanimeve hebreje ka bërë që shumë palestinezë të dyshojnë për qëndrueshmërinë e shtetit palestinez.